VMRO-DPMNE sot ka vazhduar konsultimet për referendumin e paralajmëruar në lidhje me kornizën negociuese për anëtarësim.
Lideri i partisë, Hristijan Mickoski, në kuadër të konsultimeve, po zhvillon takime edhe partnerët e koalicionit, prej të cilëve pret që ta mbështesin iniciativën për referendum.
“Gjatë ditës së sotme po mbahen takime nga ana e kryetarit të VMRO-së Mickoski dhe udhëheqësisë partiake me përfaqësuesit e partnerëve të koalicionit. Nga këto takime presim konfirmim të mbështetjes për deklarimin e qytetarëve në referendum në lidhje me kornizën negociuese në kontekst të Marrëveshjes me Bullgarinë. Riafirmim të atij qëndrimi, riafirmim të mbështetjes në përgjithësi për të qëndruar në koalicion me ne”, tha Brane Petrushevski, deputet i VMRO-së.
Deputeti Brane Petrushevski gjatë konferencës së sotme për media, tha se gjithë deputetët e koalicionit të opozitës maqedonase, qëndrojnë pas deklaratës së Mickoskit sa i përket referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese.
“Edhe unë si deputetë i VMRO-së dhe gjithë grupi parlamentare qëndrojmë pas deklaratës së djeshme të kryetarit se, ndryshimet kushtetuese nën një diktat të këtillë bullgar janë çështje e kryer për ne dhe nuk do të lejojmë të ndodhë ajo”, u shpreh Petrushevski.
Mickoski dje deklaroi se do të largohet nga politika, nëse ndonjëri prej deputetëve të VMRO-së voton për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, që është kusht për hapjen e klasterit të parë të negociatave me BE-në.
Kujtojmë se, pas votimit të propozimit francez, gjë që i hapi rrugë mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare për anëtarësim me BE-në, VMRO paralajmëroi referendum për pranimin e kornizës negociuese së bashku me marrëveshjen bilaterale për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Por, deri më tani nuk janë shpalosur detajet se si do të jetë pyetja e referendumit dhe si do të zhvillohej ai.