Sipas VMRO-së, një ndryshim i tillë nuk është i mundur gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe një vit para regjistrimit, duke bërë që kreu i Qytetit, Pero Shilegov, të shkelë brutalisht ligjin, si edhe procedurën për të bërë ndryshimet, pasi nuk ka marrë pëlqimin nga komunat
Evis HALILI
Shkup, 1 prill – Vendimi i Qytetit të Shkupit për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe objekteve infrastrukturore është kundërshtuar nga këshilltarët e VMRO-së, të cilët e kanë cilësuar antiligjor dhe kanë paralajmëruar se do të kërkojnë nga gjykata revokimin e tij. Vendimi u miratua nga shumica e këshilltarëve të Qytetit në seancën e së martës për 485 emërtesat e reja që do të vihen në territorin e kryeqytetit. Sipas VMRO-së, një ndryshim i tillë nuk është i mundur gjashtë muaj para zgjedhjeve dhe një vit para regjistrimit, duke bërë që kreu i Qytetit Pero Shilegov të shkelë brutalisht ligjin, si edhe procedurën për të bërë ndryshimet, pasi nuk ka marrë pëlqimin nga komunat.
“Në të njëjtën kohë, ky vendim i Shilegov shënon një tarifë minimale prej 100 euro, një tarifë e re për kompanitë emri dhe adresa e të cilave ndryshohen në përputhje me vendimet e reja të Këshillit. Me këtë, Shilegov në disa kushte të vështira të shëndetit dhe krizës ekonomike imponon detyra dhe mashtrime të reja për qytetarët. Kjo është një dhunë e papranueshme që nuk do të tolerohet”, deklaron grupi i këshilltarëve.
Qyteti i Shkupit ka njoftuar se ka pasur mbështetjen e fondacionit “Sllavko Janevski” dhe Institutit të Gjuhës Maqedonase “Kërste Misirkov” për emërtimin e bulevardit nga VMRO në Blazhe Koneski dhe rrugën Stiv Naumov në Sllavko Janevski. Me ndryshimet e reja ura binjake Todor Alexandrov do të quhet Nakie Bajram dhe Rosa Plaveva, Ura Liria (tek Holiday Inn) do të quhet Ura Vera Aceva dhe ura për këmbësorë afër Qeverisë do të marrë emrin e ish nënkryetarit të Qytetit Enver Maliqi. Parashqevi Qiriazi do të zëvendësojë emrin e rrugës Arkipeshkop Dositeji, Omer Kaleshi dhe Adem Kastrati do të quhen krahët e rrugës Aleksandër Bujnov, Drane Bojaxhiu do të zëvendësojë emrin e rrugës Aleksandër Turunxhov, rruga Alija Avdociq do të quhet Imer Prizreni, rruga August Cezar do të quhet Mehmet Gega, rruga Bllagoja Paroviq do të marrë emrin e Ismail Qemalit, Imri Elezi do të zëvendësojë Bozhin Stojkov. Një tjetër grup emërtesash shqiptare do të vendosen në vendbanime shqiptare si në zonën e Dizhonit, ku rrugët me numra do të zëvendësohen nga emrat Viktimat e Bllacës, Faik Konica, Adem Mikullovcigjon Buzuku, Dervish Cara, 22 Nëntori, Lasgush Poradeci, Gjerasim Qiriazi, Ani Mula, Jeronim De Rada, Shaban Tërstena, Gjergj Fishta.., e të tjerë.
Magjistralja e Adriatikut do të quhet Hasan Prishtina, bulevardi Brigada Maqedonase Kosovare do të quhet Mit’hat Frashëri. Propozimet për emrat e reja të rrugëve, mes të cilëve figurojnë edhe shumë emra shqiptarë dhe data të rëndësishme shkaktuan reagime, jo vetëm për kriteret e përzgjedhjes, por edhe formulimet tendencioze në listë, prezantimi në versione të ndryshme dygjyhëshe, gabime drejtshkrimore. (koha.mk)