Shkup, 16 prill – VMRO-DPMNE nuk do të mbështet propozimin që, kompania turko-amerikane Bechtel Enka ta ndërtojë Korridorin 8. Kështu thonë në partinë e Hristijan Mickoskit, ndërsa kontestojnë konceptin që kjo firmë gjigante ndërtimore, ka lidhur me veprimin e ndërtimit të autostradave, shkruan gazeta KOHA.
“Dyshojmë në konceptin se si na është prezantuar mënyra e punimit të kompanisë Bechtel Enka. Deri tani kemi parë vetëm dy-tre faqe – memorandum për mirëkuptim, por pa një projekt konkret apo pa trasë dhe pa shifër konkrete sesa do të kushtonte autostrada e Korridorit 8. Dyshojmë për mundësi korrupsioni dhe, më mirë ato mjete të shkojnë për vaksina dhe prodhim vaksinash, sesa të ndihmojmë korrupsionin në vend”, thonë në VMRO, ndërsa paralajmërojnë se do të votojnë kundër në Parlament të Ligjit, që u paralajmërua ditë më parë nga zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi për hyrjen e Bechtel Enkas edhe në Maqedoni.
Po të ishin seriozë nga Qeveria dhe të kishin vullnet për të ndërtuar rrugët, thonë në VMRO, do t’i kishin përfunduar së paku ato 10 kilometrat nga Bllaca deri në qarkoren e parë të Shkupit. (koha.mk)