Fatos RUSHITI
Shkup, 23 tetor – Të hënën Gjykata Administrative në seancë publike ka shqyrtuar 10 padi, nëntë nga VMRO-DPMNE dhe një nga Aleanca për Shqiptarët të parashtruara nga këto parti kundër vendimeve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor për rrethin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën më 15 tetor, shkruan gazeta KOHA. Shumica e padive të VMRO-së kishin të bënin me kërkesën për përsëritje të votimeve, nga shkaku se nuk përputhet numri i votave në kutitë e votimeve me numrin e personave që janë evidentuar si votues në Listën zgjedhore në vendvotimet e caktuara. Njëjtë si seancat tjera, dhe në dy seance e ditës së hënë njëri nga pesë këshillat gjyqësor të caktuara enkas nga Gjykata Administrative për lëndët që kanë të bëjnë ankimimet zgjedhore, shqyrtoi paditë e VMRO-së – njëra për vendvotimin numër 2806/1 në kutinë për kandidatët për kryetar të Komunës Qendër, e ku pretendohet se nga 351 fletëvotime më vulë të kryetarit të Komisionit, në kutitë e votimeve është evidentuar një më shumë – 352 fletëvotime, tjetra seancë kishte të bëjë më votimin nr. 2461/1 në Komunën e Sarajit, ku gjithnjë sipas pretendimeve të VMRO-së, në kutitë e votimit për Këshilltar komunal janë evidentuar 597 vota, ndërkaq kryetari i Komisionit ka vulosur 596 fletëvotime. Ndërkaq në padinë e partisë Aleanca për Shqiptarët që u shqyrtua nga Këshilli Gjyqësor kishte të bënte me vendvotimin nr. 0387/1 në Komunën e Gostivarit, ku sipas pretendimeve të kësaj partie që ka kërkuar përsëritjen e votimeve në këtë vendvotim, një personi nga ana e nënkryetarit të Komisionit i janë dhënë dy fletëvotime për këshilltarë e jo sipas rregullave ligjore, njëra duhej të merrej për këshilltar dhe tjetra për kryetar. Këshilli gjyqësor i përbërë prej pesë gjyqtarëve, u tërhoq për të marrë vendime, por siç tha kryetarja e këtij Këshilli, Diturije Elezi Neziri, vendimet do të bëhen publike gjatë orëve në vazhdim të ditës së hënë. Sipas përfaqësuesit ligjor të VMRO-së, Alen Dereban, parregullsitë janë evidente dhe gjyqtarët, siç tha ia, nëse do të vendosin sipas ligjit – presin që ato të jenë pozitive për këtë parti. “Shumica e padive kanë të bëjnë me parregullsi të procesit të votimit, konkretisht mospërputhja e numrit të votave të numëruara me fletëvotimet e nënshkruara nga komisionerët, gjë që automatikisht paraqet shkelje të Kodit Zgjedhor. Presim përgjigje pozitive për përsëritje të votimeve. Nëse Gjyqtarët do të shikojnë çfarë thotë Ligji, nuk duhet të mendohen shumë dhe të vendosin pozitivisht ndaj padive tona”, tha për mediat Dereban. Në të njëjtën vijë me të ishte edhe deputetja e VMRO-së, Nevenka Stamenkovska. Ajo, në një prononcim të shkurtër për gazetën KOHA, thotë se “procesi ankimor nuk duhet të kalojë si farsë ashtu siç kaloi në KSHZ, meqë faktet janë evidente dhe prandaj presim me interes çfarë do të vendos Gjykata”, tha Stamenkovska. Në pyetjen e gazetës KOHA se në cilat prej 24 padive kanë fakte më të forta e që nuk do të mund ti shmangeshin gjykatësit, ajo tha shkurt se “të gjitha paditë kanë të bëjnë me shkelje konkrete të ligjit zgjedhor e që KSHZ fatkeqësisht nuk i mori parasysh”. Ndryshe nga përfaqësuesit ligjor të VMRO-së që ishin prezent gjatë shqyrtimit publik, përfaqësues ligjor i Aleancës për Shqiptarët, Xhezmi Selimi, nuk ishte prezent gjatë shqyrtimit të padisë nga kjo parti. Të dielën, pesë këshilla gjyqësore të Gjykatës Administrative shqyrtuan gjithsej 19 padi tjera, 16 nga VMRO-DPMNE, 2 nga TMRO dhe 1 nga E MAJTA, por që vendimet nuk u bënë publike në faqen elektronike të Gjykatës as të hënën deri në orën 16. Përbërja e Këshillave Gjyqësor vendoset sipas shortit, ndërsa seancat – bazuar në ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, janë publike. (koha.mk)