Shkup, 25 janar – Ligji për gjuhët do të kthehet të hënën në lexim të tretë në seancë plenare në Parlament. Ndërkohë, VMRO përveç që do të kthehet në Parlament, ajo ka paralajmëruar mijëra amendamente për të tentuar bllokimin e këtij Ligji ndonëse ende nuk ka një qëndrim zyrtar për numrin e amendamenteve nga kjo parti, shkruan gazeta KOHA. Para votimit të këtij Ligji, VMRO kishte propozuar 80 amendamente por që nuk arritën të diskutohet asnjëri prej tyre shkaku se BDI shfrytëzoi debatin e kufizuar në komisione për ligjet që kanë shenjën e BE-së, duke gjetur kështu zgjidhje kundër atyre amendamenteve. Siç mësohet nga burime të afërta me BDI-në, kjo parti përsëri ka çelësin si ti përgjigjet mijëra amendamenteve të VMRO-së nëse të hënën në seancë plenare do të propozohen nga kjo parti. Flitet se do të shfrytëzohen mundësitë që jep Rregullorja e punës, kur për nenin 1 të Ligjit për gjuhët, e ku gjuha shqipe ceket se do të jetë zyrtare njëjtë si gjuha maqedonase në të gjitha organet e pushtetit qendror, VMRO do të propozojë rreth 1000 amendamente. Ndryshe nga VMRO, burime të sigurta parlamentare thonë se LSDM nuk do të dorëzojë asnjë amendament dhe njëjtë do të sillet edhe Lëvizja BESA. Fadil Zendeli nga kjo parti tha se për shkak të situatës së krijuar rreth Ligjit për gjuhët, Lëvizja BESA nuk do të propozojë asgjë në seancë plenare. (koha.mk)