VMRO kërkon pazar për shqipen!

Fatos RUSHITI

Shkup, 16 shkurt – Krahas vëmendjes së opinionit drejt zgjidhjes së çështje së emrit me Greqinë, Ligji për gjuhët pritet të problematizojë përsëri skenën politike në rast të mos gjetjes së zgjidhjes politike për ligjin në fjalë, shkruan gazeta KOHA. Javën e ardhshme, grupet e punës të LSDM-së dhe VMRO-së ka gjasa të dalin me marrëveshje për ligjet që prekin reformat në sferën e sigurisë dhe ato në sferën e gjyqësorit. Ndërkaq lidhur me Ligjin për gjuhët, grupet e punës – sipas informative jozyrtare, nuk do të dalin me ndonjë rezultat konkret.

Nga ana tjetër, me interes është ajo se si do të veprojë kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi, do ti përmbahet zotimit se nuk do të thërras seancë plenare pa mos u pajtuar të gjitha palët lidhur me Ligjin për gjuhët, apo do lëshojë pe. Burime nga Parlamenti i Maqedonisë thonë se është shumë vështirë që partitë në pushtet të veprojnë në mënyrë unitare pa mos përfillur amendamentet e VMRO-së, duke shtuar se kryeparlamentari Xhaferi ende kujtohet për vjershat që recitonte në Komisionet parlamentare për të mos kaluar “Ligji i Branitellave”.

“LSDM nuk mund ta bind aq lehtë VMRO-në për tu tërhequr nga amendamentet kur deputetët tanë ende janë në burg, pra kjo është një gjë që s’bëhet. Ata nuk mund ta shkelin Rregulloren as nuk munden ti akumulojnë diskutimet në një amendament, sepse çdo amendament do të hap diskutim”, thonë deputetë të VMRO-së. Nga ana tjetër, burimet tjera parlamentare thonë se grupi i të pakënaqurve që përfaqësohet nga deputetët Ilija Dimosvki dhe Antonio Milloshovski janë ata që po këmbëngulin për shqyrtimin një nga një të amendamenteve deri sa të gjendet një kompromis për kolegët e tyre të burgosur: Kërste Mukosvki dhe të tjerët.

“Lideri Hristijan Mickosvki nuk është i interesuar të bllokojë Parlamentin siç kanë bërë më herët. Ai do të përkrah reformat në vend, por kërkon përgjigje nga LSDM lidhur me fatin e deputetëve të burgosur. Nëse e merr përgjigje pozitive për deputetët e burgosur, konkretisht se nuk do të dënohen dhe nëse LSDM garanton se gjuha shqipe nuk do të përdoret në të gjithë territorin e vendit, gjithçka do të jetë në rregull për përkrahje të Qeverisë në procesin e integrimeve dhe gjetjes së zgjidhjes për emrin”, thonë burime anonime të afërta më Kryesinë e re partiake. Ndërkaq, kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickosvki, gjatë takimit të së mërkurës në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Ligji për përdorimin e gjuhëve e çon prapa Maqedoninë.

Ndryshe, eksperti juridik dhe njohës i mirë i procedurave parlamentare, Todor Pendorov, thotë se është e padyshimtë nevoja e sjelljes së këtij ligji, por me 35 mijë amendamentet e VMRO-së, zgjidhja e shpejtë mund të jetë vetëm politike. “Nëse fillohet sipas procedurës që e kërkon Rregullorja, atëherë së paku katër ose pesë muaj Parlamenti duhet të merret vetëm me 35 mijë amendamentet. Do të thotë duhet të gjendet zgjidhje politike. Unë shpresoj se partitë parlamentare do ta kuptojnë se në çfarë momenti ndodhemi tani edhe si shtet, edhe si shoqëri edhe si qytetarë dhe se do të gjejnë zgjedhje politike për këtë. Si do të jetë ajo zgjidhje politike, nuk mund të prejudikoj, por sidoqoftë në mënyrë institucionale dhe me Rregullore – kjo është e bllokuar”, ka theksuar Todor Pendarov. (koha.mk)