Komisionit Anketues do të shqyrtojë edhe mënyrën se si janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar 15 milionë euro, të cilat janë ndarë nga buxheti i shtetit, si dhe si donacionet nga ambasada e Amerikës, Holandës dhe Suedisë
Destan JONUZI
Shkup, 17 shtator – Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar në Parlament propozim-vendim për formimin e Komisionit Anketues, i cili do të përcaktojë shkeljen e ligjit gjatë punës së Prokurorisë Speciale Publike (PSP), për veprat penale që dalin nga përgjimet, shkruan gazeta KOHA.
“Komisioni duhet të përcaktoj mënyrën e punës materialo-financiare të PSP-së, si dhe punësimet e bëra në këtë institucion. Kryetari dhe nënkryetari i Komisionit do të zgjidhen nga Komisioni për zgjedhje dhe emërime. Në Komision do të ftohen ekspertë dhe dëshmitarë, të cilët do të flasin për punën e PSP-së”, thuhet në propozim-vendimin e VMRO-DPMNE-së, të cilin e disponon gazeta KOHA.
Sipas propozimit të parashtruar, Komisioni Anketues do të ketë për qëllim të bëjëë analizë dhe t’u jep përgjigje pyetjeve se ku janë harxhuar 15 milionë euro para nga buxheti i shtetit, të cilat ishin të parapara për funksionim normal dhe efikas të këtij institucioni. Komisioni, sipas propozimit, po ashtu do të hulumtojë dhe analizojë rezultatet e arritura të PSP-së në luftën kundër korrupsionit, si dhe të ardhurat e prokurorëve në proporcion me rezultatet e arritura dhe punën e kryer. Në propozim-vendimin për formimin e Komisionit Anketues shkruan se do të analizohet edhe përbërja kadrovike e të punësuarve, me theks të veçantë, përhapja e madhe e nepotizmit, të cilin sipas propozuesit asnjëherë nuk e kishte mohuar prokurorja speciale e cila drejtonte këtë institucion.
“Komisionit Anketues do të shqyrtojë edhe mënyrën se si janë shpenzuar dhe ku kanë përfunduar mjetet të cilat janë ndarë si donacion nga ambasada e Amerikës, Holandës dhe Suedisë”, thuhet në propozimin e VMRO-së, ndërsa shtohet se këto tre ambasada kanë ndarë donacione të konsiderueshme në vlerë në para për punën e Speciales, dhe se përfaqësuesit e të njëjtave do të ftohen me qëllim që të informohen se në ç’mënyrë janë shpenzuar parat e tyre.
Komisioni, thuhet mes tjerash, do të verifikojë edhe shkeljet ligjore dhe procedurale të kryeprokurores së shkarkuar të PSP-së, Katica Janeva për urdhrat e dhëna nga paraburgimi për funksionimin e PSP-së, si dhe tentimet e saj për të vendos si e dyshuar për lëndët e PSP-së. (koha.mk)