VMRO-ja i dorëzon LSDM-së listën e kushteve për kthimin në Kuvend

Shkup, 1 prill – VMRO-DPMNE-ja sonte pritet të vendos për kthimin eventual në Kuvend. Pasdite mblidhet Komiteti Qendror i partisë më të madhe opozitare, ndërsa mbledhja vjen vetëm pak ditë pas paralajmërimeve të kryeministrit Zoran Zaev se deri kah mesi i këtij muaji do të përmbyllen të gjitha ligjet reformuese, të cilat kërkojnë edhe mbështetjen e VMRO-së. Ndërkohë kreu i partisë opozitare Hristijan Mickoski në një intervistë për radion Evropa e Lirë ka konfirmuar se LSDM-së tashmë i është dorëzuar dokumenti me kërkesat politike, të cilat janë kusht për kthimin e VMRO-DPMNE-së në Kuvend. Mickoski theksoi se një ndër kushtet është lirimi i tërësishëm i deputetëve të partisë së tij të përshirë në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Kushti politik, mund të them se kërkoj që shumë shpejtë të tejkalohet, respektivisht të plotësohen kushtet tona, të cilat shkojnë paralelisht me negociatat tona rreth ligjeve reformuese, të cilat janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit tonë. Kemi kërkesat tona dhe dokumenti me këto kërkesa shumë shpejtë do të prezantohet në opinion. Kushti i dytë është matematikor, që mund të them se në masën më të madhe është plotësuar. Edhe pse ishim dëshmitarë se sërish ka pasur një seri keqpërdorimesh të institucionit paraburgim – deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO DPMNE.

Mickoski ndërkohë paralajmëroi se në rast të kthimit të opozitës në Kuvend, partia e tij menjëherë do të iniciojë interpelancë për Qeverinë “Zaev”.

Nëse VMRO DPMNE-ja kthehet në Kuvend, do të kthehet kah dera e madhe. Nëse VMRO-ja vendos të kthehet në Kuvend, puna e parë që do të bëjë është se do të iniciojë interpelancë për punën e Qeverisë, ku deputetët e VMRO DPMNE-së do t’i sqarojnë të gjitha ata keqpërdorime dhe gabime që kjo shumicë në pushtet gjatë 10 muajve të kaluar ia kanë bërë atdheut tonë dhe do të mund të shohim se si do të reagojë shumica për të njëjtat – theksoi ai.

Kreu i opozitës poashtu paralajmëroi edhe protestë masive gjith popullore në muajin maj, për të gjitha pakënaqësitë ndaj Qeverisë aktuale. Ndaj deklaratave të tilla të kreut të VMRO-së ka reaguar LSDM-ja. Kjo parti i ka bërë thirrje opozitës tu kërkojë falje qytetarëve për të gjitha dëmet e shkaktuara deri tani dhe t’i jep fund politikave destruktive. “Në interes të qytetarëve dhe shtetit, Mickoski dhe VMRO DPMNE-ja duhet t’i tejkalojë politikat humbëse të ndarjeve dhe bllokimeve dhe t’i jep mbështetje procesit të reformave që e çojnë Maqedoninë përpara”, ka reaguar LSDM./ALSAT/