Shkup, 3 janar – Partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka akuzuar ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska e cila vjen nga rradhët e Lidhjes Sociale Domkrate të Maqedonisë (LSDM), se po fsheh një pjesë të pasueisë së saj, njofton Koha.
“Carovska bashkëjeton me Goran Georgievin për të cilin nuk ka paraqitur listë anketuese të pasurisë”, kështu tha në press-konferencën me gazetarë, Milla Sllaveva nga rradhët e VMRO-DPMNE-së.
“Në listën anketuese të Carovskës, është shënuar pasuria personale e saj, prindërve të saj, vëllaut, ndërsa mungon pasuria e burrit të saj të pamartuar. Sipas Ligjit për familje, nëse jetesa mes burrit dhe gruas që nuk janë të martuar ligjërisht, zgjatë më shumë se një vit është e njëjtë me martesë. Carovska bashkëjeton me Georgievin me të cilin ka një fëmijë, në pajtim me ligjet ajo konsiderohet martesë dhe duhet të dorëzohet listë anketuese edhe për pasurin e tij”, ka thënë Sllaveva.
Por nga ana tjetër, Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska i ka mohur akuzat e VMRO-DPMNE-së duke i cilësuar ato si manipulim dhe shpifje.
“Konferenca e VMRO-DPMNE-së paraqet manipulim me opinionin. Ligji nuk i detyron funksionarët të dorëzojnë raport edhe për partnerët e tyre joformal, siç VMRO-DPMNE po mundohet ta mashtrojë opinionin. Ministrja Carovska sipas ligjeve ka dorëzuar listë anketuese për vete dhe familjarët e saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale. (Koha.mk)