VMRO opozitare pritet të vazhdojë me protesta kundër Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Kjo parti nuk do të bojkotojë Referendumin ndërkaq e gjitha garnitura partiake dhe anëtarët e saj, siç flitet kuluareve partiake, do të lihen të lirë të marrin pjesë apo jo në referendum, ashtu sikurse do të jenë të lirë ditën e votimit, por me gjasë vota pritet të jetë kundër në kutitë e votimit për ata që do të dalin
Fatos RUSHITI
Shkup, 4 shtator – Të hënën më 10 shtator do të fillojë intensivisht fushata për Referendumin që do të mbahet më 30 shtator. Paraprakisht, kauzës qeveritare pro marrëveshjes për emrin me Greqinë pritet ti jep përkrahjen në dimension ndërkombëtar kancelaria gjermane Angela Merkel me vizitën e saj në Shkup të paralajmëruar më 8 shtator. Kjo vizitë është konfirmuar edhe nga Qeveria gjermane, shkruan gazeta KOHA në numrin e sotëm. “Kancelarja gjermane, Angela Merkel, të shtunën do të realizojë takim në Shkup. Ende po punohet në program, por mundem të them se kancelarja do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev”, ka kumtuar zëdhënësi i saj, Shtefen Zajbert. Ai shtoi se fokusi i takimit do të jetë “ndodhitë rajonale, temat bilaterale”, derisa Merkel, siç tha Shtefan Zajbert, gjithsesi dëshiron që në vend të formojë përshtypje me rastin e referendumit për çështjen e emrit, i cili do të mbahet në fund të muajit.
“Shpresoj se vizita do të zhvillohet më 8 shtator, por konfirmimi përfundimtar duhet të shpallet nga Gjermania”, tha Zaev duke u përgjigjur për gazetarët gjatë vizitës së djeshme në Radishan të Shkupit. Krahas partive në pushtet LSDM me partitë e koalicionit përfshirë dhe partitë serbe, turke, rome dhe boshnjake, BDI, PDSH, krahu i Afrim Gashit të Lëvizjes BESA që do të bëjnë fushatë pro referendumit më moton “Për një Maqedoni evropiane”, edhe partitë shqiptare opozitare Aleanca për Shqiptaret dhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit do të bëjnë fushate aktive pro referendumit. Siç merr vesh KOHA, Aleanca për Shqiptarët tashmë ka vendosur të bëjë fushatë aktive pro referendumit, por se nuk do të mungojnë tonet kritike ndaj partive në pushtet në raport me marrëveshjen me Greqinë në nenet që kanë të bëjnë me identitetin gjuhësor dhe kombëtar.
“Të mërkurën kemi caktuar mbledhje të Kryesisë Qendrore, ku do Zgjidhet Kryetari i Shtabit për të udhëhequr kampanjën për referendumin. Gjithashtu në mbledhjen e radhës se KQ, do të shpaloset edhe motoja dhe logo e referendumit. Po ashtu ne këtë mbledhje do të vendoset për oraret e tubimeve, formën dhe mënyrën, se në çfarë forme do ta bëjmë kampanjën e Referendumit. Në Kuvendin Qendror sollëm vendim për ta përkrahur referendumin, por edhe deklaratën adresuar faktorëve ndërkombëtar për domosdëshmërinë e një Marrëveshje politike mes shqiptarëve dhe Maqedonasve me qëllim për të pasur një kohezion të brendshëm politik, i cili do t’i minimizonte dallimet politike, dhe do ti mbyllte ca tema të hapura për shqiptarët siç është çështja e identitetit, e gjuhës e buxhetit me prerje lokale, vendimmarrjes konsensuale, buxhetit etj”, thonë nga departamenti për informim i kësaj partie. Siç shtojnë nga ky departament, për shef të Shtabit zgjedhor do të vendoset njëri nga tre nënkryetarët e partisë: Remzi Memedi, Bujar Abazi apo Vullnet Ferati. Edhe partia tjetër opozitare Lëvizja BESA – krahu i Kasamit do të bëjë fushatë aktive në terren, përmes tubimeve që do të ketë me elektoratin e saj, dhe në forma tjera mediatike dhe në internet. Sipas burimeve të afërta me këtë parti, shef i Shtabit zgjedhor pritet të zgjidhet sekretari i përgjithshëm i partisë, Arjanit Hoxha, ndërsa motoja do të jetë “Por për NATO dhe BE, si shqiptar, jo si përqindje”.
“Qëllimi është që të ketë sukses referendumi qe të kemi mundësi në hapjen e kushtetutës të imponojmë korrigjimet e nevojshme kushtetuese për të hequr termin 20% dhe ta zëvendësojmë me Shqiptarë dhe Gjuhë Shqipe”, thonë burime të sigurta partiake. Nga ana tjetër, VMRO opozitare pritet të vazhdojë me protesta kundër Marrëveshjes për emrin me Greqinë. Kjo parti nuk do të bojkotojë Referendumin ndërkaq e gjitha garnitura partiake dhe anëtarët e saj, siç flitet kuluareve partiake, do të lihen të lirë të marrin pjesë apo jo në referendum, ashtu sikurse do të jenë të lirë ditën e votimit, por me gjasë vota pritet të jetë kundër në kutitë e votimit për ata që do të dalin. (koha.mk)