Shkup, 17 tetor – Sipas VMRO-DPMNE-së opozitare në konferencën e parë për shtyp pas përfundimit të votimit, zgjedhjet lokale kanë kaluar me parregullsi, prishje të procesit zgjedhor dhe veprim korruptues të pushtetit. Nga VMRO-DPMNE-ja shpresojnë në rezultate të mira dhe presin jehonë më të madhe në raundin e dytë.
“Në pushtet kemi një garniturë e cila është zhytur në krim dhe korrupsion dhe sipas rrethanave kemi pasur zgjedhje ku janë vërejtur parregullsi, prishje të procesit zgjedhor dhe veprim korruptues të pushtetit. Ashtu që, gjatë ditës së djeshme dhe të pardjeshme kemi vërejtur shkelje të heshtjes zgjedhore, kërcënime, presione dhe shantazhe nga ana e bartësve të funksioneve publike, ministrave individualë, keqpërdorim të resurseve shtetërore për qëllime partiake”, deklaroi Mile Lefkovi në konferencë për shtyp.
Theksoi se kanë dyshim për ryshfet në Prilep, Veles, Manastir, Dellçevë, Demir Kapi, Negotinë, Ohër dhe disa pjesë të Shkupit, për incident fizik brutal të sulmit ndaj një gazetari dhe punonjësve mediatik në Prilep, për trenin bullgar dhe për mbushjen e kutive në Saraj.
Për këtë, siç informoi Lefkovi, janë parashtruar parashtresa.