VMRO-DPMNE as nuk ka kërkuar amnisti, as nuk ka arsye që të bëjë një gjë të tillë dhe gjithmonë ka qenë në anën e popullit dhe të shtetit. Ky është dallimi mes VMRO-DPMNE-së dhe Zaevit, thekson VMRO-DPMNE në reagimin e intervistës së sotme të kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev për “Dojçe Vele”. Sipas VMRO-DPMNE, Zaevi është i shantazhuar dhe i frikësuar se do të duhet të përgjigjet për krimet që i ka bërë, nuk mund të kuptojë se dikush sinqerisht e do Maqedoninë dhe se dikush sinqerisht dhe me nder lufton për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe nacionale. Tek ai gjithçka është lëndë e të bërit pazar dhe negociata. Për këtë Zaevi gënjen dhe shpif”, thekson VMRO-DPMNE. Zaevi, theksojnë, përveç që i ka mashtruar qytetarët, përveç që e ka shkelur vullnetin e qytetarëve, përveç që i ka shkelur Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet, përveç që ka urdhëruar që të qëllohet në qytetarë, punon sistematikisht në shitjen të interesave nacionale dhe shtetërore, vetëm që të hyjë në pushtet.