Shkup, 22 janar – Dhjetë ditë Zoran Zaev fshihet dhe ik nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, kështu thonë nga partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, duke komentuar heshtjen e pushtetit përball kërkesës së tyre për zgjedhje të parakohshme parlamentare, bashkë me ato presidenciale, njofton Koha.
“Zaev shkoi në pushim dimëror luksoz në Gjermani ku mendon arsye pse nuk duhet të dalë në zgjedhje dhe të përballet me zemërimin e popullit për politikat e tij antishtetërore. Justifikimet se reformat do të pengoheshin janë qesharake. Reforma nuk kishte dy vite, ndërsa nuk do të ketë as në muajt kur nuk do të punojë Kuvendi dhe subjektet politike do të fokusohen në fushatën. Reforma nuk kishte as në shëndetësi, arsim, ekonomi, ekologji ose në cilindo resor që nuk kishte kurrfarë pika prekëse me negociatat kapituluese për shitje të emrit”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Më tej, në komunikatën me shkrim të kësaj partie thuhet se e vërteta pse Zaev dhe LSDM ikin nga zgjedhjet nuk janë gjoja reformat.
“LSDM dhe Zaev ikin sepse e dinë që po humbin. Qytetarët nuk e mbështesin LSDM-në dhe Zaevin. Qytetarët nuk i arsyetojnë politikat antishtetërore të LSDM-së dhe të njëjtat do t’i dënojnë. LSDM nuk ka legjitimitet as për ndryshim të emrit kushtetues, as për ligjin jokushtetues të dygjuhësisë. LSDM nuk ka legjitimitet për asgjë që bën. LSDM duhet të inkurajohet dhe të shpallin zgjedhje që ta kontrollojnë legjitimitetin dhe kredibilitetin personal. Zgjedhjet janë dalja e vetme nga kjo krizë në të cilën e kanë futur shtetin. Shteti është fundosur në errësirë. Shëndetësia është shkatërruar, arsimi në kaos, ndërsa sigurimi i prishur. Republika e Maqedonisë po humb në çdo fushë. Qytetarët janë të nënçmuar”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Sipas VMRO-DPMNE-së, LSDM duhet të shkojë, ndërsa Republika e Maqedonisë nuk guxon të vazhdojë të fundoset. Qytetarët meritojnë të ardhme më të mirë. (Koha.mk)