Shkup, 19 mars – Partia opozitare VMRO-DPMNE ka akuzuar kryeministrin Zoran Zaev dhe kandidatin për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski se promovojnë procese të montuara dhe se përhapin frikë.
“Zaev dhe Pendarovski në vend të drejtësisë promovojnë procese të montuara, revanshizëm politik dhe aktvendime të porositura. Në atë mënyrë tentojnë të përhapin frikë dhe ta kthejnë vëmendjen nga krimi në të cilin janë ngujuar. LSDM shkatërroi gjithçka që do të thotë e drejtë dhe drejtësi. Dy vite vetëm shkelje të kushtetutës dhe ligjeve. Padrejtësia u bë praktikë, ndërsa organet e drejtësisë vegël për ndjekje të jomendimtarëve politik”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Më tutje nga kjo parti thonë se dënimi me burg i të akuzuarve për rastin e 27 prillit është kulmi i revanshizmit politik dhe se po keqpërdoret institucioni paraburgim për nënçmim dhe frikë. Rastin e 27 prillit, nga kjo parti e kanë cilësuar si inkuizicion të shekullit 21 në Evropën moderne.
“211 vite burg për të akuzuarit për ngjarjet e 27 prillit janë kulmi i revanshizmit politik. Profesionistë dhe patriotë të sinqertë gjykohen për vepër të cilën nuk e kanë kryer. Shkelen të drejtat e tyre të njeriut dhe keqpërdoret institucioni paraburgim, vetëm të nënçmohen dhe frikësohen. Pushteti vepron jashtë së drejtës. Rasti 27 Prilli është inkuizicion i shekullit 21, i paparë në Evropën moderne. Padrejtësia dhe shkelja e ligjeve duhet të ndalojë”, është thënë në reagimin e kësaj partie.