Shkup, 4 janar – Partia më e madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, akuzon pushtetin se po varfëron për çdo ditë qytetarët. Nga kjo parti theksojnë se me fillimin e vitit 2019, Zoran Zaev goditi edhe tregtarët me ndryshimet e reja ligjore.
“Ndryshimet ligjore kanë sjellur dënime drakonike dhe rregulla të reja që janë në kundërshtim me interesin e qytetarëve dhe tregtarëve, të cilët vite me radhë në mënyrë të ndershme fitojnë para për bukë. Me ndryshimet e reja, gjithë ata pensionistë të cilëve nuk ju mjafton pensioni për të mbijetuar, nuk do të mund të punojnë në tezga”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Sipas kësaj force opozitare politike maqedonase, pushteti i udhëhequr nga Zoran Zaev po qeverisë në mënyrën më të keqe të mundëshme dhe se e keqja është futur kudo dhe se po zbaton anti-reforma.
“Qytetari i Maqedonisë është i gatshëm që ta ndalojë të keqen, i gatshëm të thotë mjaft pushtetit kriminal dhe Zaevit të falur në zgjedhjet e ardhshme”, akuzojnë nga VMRO-DPMNE-ja.