VMRO-DPMNE përmes një kumtese të shkruar thekson se Zoran Zaev vendosi ta fshehë programin dhe biografitë e kandidatëve të propozuar për ministra nga analiza dhe shqyrtimi nga ana e opinionit, opozita parlamentare, shtresa profesionale dhe gazetarët. “Ranë në ujë paralajmërimet për transparencë dhe llogaridhënie të LSD-së dhe partnerëve të koalicionit nga shumica e re kuvendore,. LSD për herë të dytë e nënçmoi dhe degradoi Kuvendin e RM-së për vetëm një muaj. LSD e shkeli Kushtetutën, Rregulloren për punë të Kuvendit dhe Ligjin për Kuvend gjatë tentimit që me dhunë dhe jolegalisht ta zgjedhin Talat Xhaferin kryetar, ndërsa tani turpshëm caktuan mbledhje për zgjedhje të qeverisë për vetëm një ditë”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Kjo, ceket, “paraqet akt jodemokratik ndaj opinionit dhe ndaj Kuvendit të Republikës së Maqedonisë”. Shtohet se pas tërë asaj “është e qartë se qeveria e re nuk është reformuese, por antireformuese”. “Qytetarët e RM-së edhe njëherë e panë fytyrën e vërtetë të LSD-së. Ajo është fytyra e cila premton më së shumti 20 ministri, ndërsa propozon kabinet qeveritar prej 26 funksionarëve”, ceket në kumtesën e VMRO-DPMNE-së dhe potencohet se asnjë gënjeshtër nuk zgjatë përjetësisht.