Shkup, 21 nëntor 2018 (MIA) – Buxheti më shkatërrues dhe megaloman në historinë e Republikës së Maqedonisë parasheh më shumë para për automobila dhe mobilie luksoze në vend se për përmirësimin e cilësisë së ajrit, njofton Qendra për Komunikim me Publikun e VMRO-DPMNE-së.
“Niveli i lartë i ndotjes së ajrit në javët e fundit i tejkalon kufijtë e së lejuarës. Shkupi është në mesin e qyteteve më të ndotura në botë, ndërsa Zoran Zaev dhe Petre Shilegov nuk ndërmarrin asgjë. Pushteti që premtonte zgjidhjen e problemit me ndotjen e ajrit nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash në drejtim të përmirësimit të cilësisë së ajrit” thuhet mes tjerash në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas tyre ajri i ndotur po i mbush spitalet, ndërsa më të prekurit janë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat mbi moshën 65 vjeçare dhe të sëmurët kronik. Niveli i lartë i grimcave PM10 shkakton probleme të mëdha me organet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes.
Ata theksojnë se LSDM-ja kaloi gjysmën e mandatit të saj pa ndërmarrë asgjë për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe pikërisht për këtë duhet të largohet sa më shpejtë.