Shkup, 3 shkurt – “LSDM-ja në vend të jetës qytetarëve të Maqedonisë i solli skamje”, citohet në njoftimin e partisë opozitare VMRO-DPMNE duke theksuar se me kartelin kriminal të pushtetit vazhdon të rritet varfëria në Maqedoni, transmeton Koha.
“Mbi 500.000 qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë derisa funksionarët e pushtetit çdo ditë pasurohen me grante dhe tenderë të rinj”, thuhet në njoftimin e partisë.
Sipas VMRO-DPMNE-së, nga koha që LSDM-ja është në pushtet shpenzimet e jetesës vazhdimisht rriten.
“Indeksi i shpenzimeve për jetesën në vitin 2018 përkundër vitit 2017 është rritur për 1,5 për qind, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur për 2,7 për qind”, citojnë nga partia duke theksuar se pushteti qytetarëve i solli tatime më të mëdha dhe në vend që paratë të shkojnë tek qytetarët ato shkojnë direkt tek karteli kriminal i pozitës.
VMRO-DPMNE në njoftim thekson se ekonomia është mbërthyer tek fundi, ku siç thonë, për herë të parë debia shtetërore e kaloi kufirin psikologjik prej mbi 5 miliardë eurosh, ndërsa borxhi shtetëror u rrit për mbi 4 miliardë euro.
“FMN vlerësoi se rritja e BPV-së në vitin 2018 do të jetë 2 për qind, që është shumë larg 5 përqindëshit që u premtua”, citohet në njoftimin e VMRO-DPMNE-së duke theksuar se në vend që të rriten pagat e qytetarëve, rriten pagat e zëvendëskryeministrave, rriten tatimet, borxhi shtetëror dhe publik si dhe rritet korrupsioni.
“Qeveria e mbërtheu Maqedoninë në vendin e 93-të në listën e Transparensi Interneshenëll në indeksin e korrupsionit, në grupin e shteteve si Gambia, Kosova, Mongolia de Panamaja”, citohet në njoftimin e VMRO-DPMNE.
Sipas kësaj partie për të ndryshuar gjendja në Repubikën e Maqedonisë dhe që qytetarët të kenë një standart më të mirë të jetesës, ashtu siç e meritojnë nevojiten zgjedhje të parakohshme parlamentare, me qëllim që siç citohet në njoftim “përfundimisht qytetarët e Maqedonisë dhe Republika e Maqedonisë të përparojë”. (koha.mk)