VMRO-DPMNE-ja, në kumtesë dërguar mediave e përshëndet takimin mes kryeministrave të Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, duke vlerësuar se kontaktet e drejtpërdrejta të dy kryeministrave mund të kontribuojnë për thellimin e marrëdhënieve dhe ndërtimin e klimës pozitive mes dy vendeve.
“Në këtë moment VMRO-DPMNE-ja nuk ka kurrfarë informate për procesin e negociatave rreth problemit, të cilin Greqia fqinje e ka me emrin tonë.Prej aty, nuk dimë nëse paralajmërimet e Zoran Zaevit për riemërtimin e aeroportit dhe autostradës janë pjesë e ndonjë strategjie më të gjerë, për të cilën opinioni nuk është i informuar ose megjithatë bëhet fjalë për një hap të njëanshëm të Qeverisë aktuale të Republikës së Maqedonisë. Nëse është në pyetje ndonjë strategji, qytetarët presin të informohen për përfitimet, ndërsa nëse bëhet fjalë për të dytën, është legjitime brengosja se vendi bën lëshime të njëanshme, e nuk fiton asgjë”, thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. VMRO-DPMNE-ja nuk sheh irredentizëm në emrat e aeroportit dhe autostradës të cilat kryeministri Zaev paralajmëroi se do t’i ndryshojë.