Shkup, 10 janar – Po zvogëlohet numri i deputetëve nga koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë” i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja. Pas Çedomir Sazdovskit nga GROM-i dhe Amdi Bajramit nga Lidhja e Romëve, dje edhe deputeti Jusuf Hasani nga Partia Demokratike e Turqve paralajmëroi se nuk është pjesë e koalicionit dhe se do të veprojë si deputet i pavarur.
Hasani me shkresë e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë se do të veprojë si deputet i pavarur, e jo si deputet i koalicionit “Për një Maqedoni më të mirë”.
Nga ana tjetër lideri i VMRO-DPMNE-së Krisitijan Mickoski mbrëmë deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në punën e Kuvendit sepse aktualisht nuk ka ambient demokratik për punë. Ai përsëriti se 12-të për qind nga deputetët e tyre ende janë në paraburgim, ndërsa ky është pesë për qind nga numri i përgjithshëm i deputetëve të cilët ballafaqohen me akuza të konstruktuara për terrorizëm.
Mickoski tha se ka komunikim me shumicën në pushtet dhe me kryetarin e Kuvendit, por përmendi se ai bazohet në “takime jo të shpeshta”