Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është shprehur tejet i indinjuar nga ky veprim i partisë maqedonase në opozitë, ndërsa e ka cilësuar si veprim të ligë. Ai njëherësh ka ftuar që të hiqet bllokada ndaj ligjit, pasi sipas tij, kjo do të thotë edhe bllokadë ndaj arsimimit, shëndetësisë të fëmijëve shqiptarë
Zenel MIFTARI
Shkup, 5 mars – Pikërisht kur duhej të fillonte debati për Ligjin për shtetësi të propozuar nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, dje në Komisionin për mbrojtje dhe siguri, VMRO-DPMNE bllokoi ligjin duke parashtruar 600 amendamente. Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është shprehur tejet i indinjuar nga ky veprim i partisë maqedonase në opozitë, ndërsa e ka cilësuar si veprim të ligë. Ai njëherësh ka ftuar që të hiqet bllokada ndaj ligjit, pasi sipas tij, kjo do të thotë edhe bllokadë ndaj arsimimit, shëndetësisë të fëmijëve shqiptarë.
“Sot po bëhet garë në Komision për ligjin për nënshtetësi se kush është më i ligu nga këto politikanë. Të marrësh të drejtën të bllokosh një Ligj për nënshtetësi, nuk është një ligj që ka të bëj me një bashkësi etnike të veçantë në Maqedoninë e Veriut, por ka të bëjë me ligësinë për të bllokuar të drejtën për shërbim dinjitoz për qytetarët që nuk kanë shtetësi. Të bllokosh ligjin me kaq zell – me mijëra amendamente, ka të bëjë t’ia bllokosh të drejtën një të riu ose të reje, e cila e mbush moshën për të konkurruar në tregun e punës dhe me këtë – t’ia marrësh të drejtën për bukën e gojës”, u shpreh mes tjerash Sela. Ai madje ka kërcënuar se koalicioni ASH-AAA që nga sot e tutje do të veprojë në të njëjtën mënyrë duke bllokuar çdo ligj të ardhshëm nëse nuk hiqet kjo bllokadë ndaj Ligjit për shtetësi.
Nga ana tjetër, Afrim Gashi, kryetar i Alternativës ka kërcënuar njëjtë si Ziadin Sela. Ai tha se asnjë ligj nuk është më i rëndësishëm se Ligji për shtetësi, ndërsa paralajmëroi se do të bllokojnë çdo ligj tjetër në Parlament. “Jemi duke ndjerë një indinjatë të thellë, sepse ndodh një bllokim i një ligji që siguron të drejtat elementare njerëzore. Kjo është një formë e gabuar për bllokimin e këtij ligji. Ne kemi qenë të hapur dhe i kemi ftuar gjithë aktorët politik të ulemi dhe ta bëjmë një Ligj që do ta zgjidhë problemin e shumë njerëzve. Sot ky ligj po bllokohet nga partitë maqedonase. Këtë e konsiderojmë si veprim antishqiptarë. Ne nga sot do të bllokojmë çdo ligj tjetër, sepse asnjë ligj nuk është më i rëndësishëm si ky ligj që garanton të drejtat elementare njerëzore”, u shpreh mes tjerash Afrim Gashi.
Ziadin Sela mes tjerash u përgjigj rreth koalicionimit të mundshëm me VMRO-DPMNE-në. “Edhe nëse ka koalicion, ai është i prishur. Ne do të koalicionojmë me njerëz, jo me njerëz që u bëjnë keq, por njerëz që do t’u bëjnë mirë njerëzve të cilët për 30 vjet kanë paguar tatim shtetit se edhe pse kanë jetuar këtu, janë ndjerë të huaj. Le të bëhen njerëz, se me njerëz jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”, shtoi më tej Sela.