Shkup, 29 mars – Nga VMRO-DPMNE akuzojnë se LSDM dhe qeveria e keqpërdorin dhe përfitojnë nga transporti i organizuar për kthimin e qytetarëve në vend.
“Në dy ditët e fundit ka qindra dëshmi nga qytetarët që janë kthyer në vend me transport të organizuar nga Qeveria dhe i cili quhet humanitar, por nuk është humanitar sepse qytetarët vetë paguajnë për transportin. Të gjitha dëshmojnë për kushtet jonjerëzore me të cilat trajtohen qytetarët nga kufiri e deri te izolimi shtetëror. Me orë të tëra presin në autobusë, nuk i lejojnë të shkojnë në tualet dhe nuk u çojnë ushqim dhe ujë. Disa thonë se u është thënë se udhëtimi do të jetë i lirë, por kanë paguar shumë më shtrenjtë, 100 euro më shumë, me çka një numër i qytetarëve u ankuan publikisht në rrjetet sociale.”,- tha Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Nga LSDM iu kundërpërgjigjen Mickoskit se po përhap dezinformata.
“Hristian Mickoski së bashku me mentorin e tij, Nikolla Gruevski, tentojnë të marrin vëmendje. Tentojnë të përhapin panik mes qytetarëve me qëllim që të përfitojnë disa pika politike. Është e qartë se arroganca ka nevojë të madhe për vëmendje. Pikërisht dje kishim Këshill Ekonomik Qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Spasovski, në të cilin përfaqësuesit e opozitës, zëvendësministrja Koçovska dhe përfaqësuesi i tyre, Trajko Slavevski, mund të ofronin të gjitha propozimet që ka opozita, por jo, një gjë e tillë nuk ndodhi.”,- u shpreh Hari Lokvenec nga LSDM.
Edhe nga Qeveria reaguan ndaj akuzave të VMRO-DPMNE-së se po përfiton nga qytetarët që kthehen me transport të organizuar nga shteti.
“Njëherit, kryetari i VMRO-DPMNE-së mbrëmë me porosi direkte përmes aplikacionit “Telegram”, dërgoi akuza të pabaza dhe presion ndaj sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, duke i kualifikuar aktivitetet qeveritare si “turp”, ndërsa njerëzit të cilët i organizojnë aktivitetet si “hajdutë” dhe në të njëjtën kohë duke shpifur për “provizione” për organizimin e transportit me aeroplanë dhe autobusë”,- thuhet në kumtesën qeveritare.(koha.mk)