Urim HASIPI
Tetovë, 10 maj – Seanca e fundit e Këshillit të Komunës së Tetovës ka filluar me braktisjen e saj nga 5 këshilltarët e VMRO-DPMNE-së. Ata kanë braktisur këtë seancë me arsyetimin se në pjesën më të madhe të seancave, ka munguar kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, shkruan gazeta KOHA. Koordinatori i Grupit të këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, Goran Jovanovski, para këshilltarëve tha se në bazë të evidencës së tij, kryetarja Arifi ka munguar në gjysmën e seancave, kurse dhe kur ka qenë prezent, ajo ka qëndruar vetëm në dy apo tre pikat e rendit të ditës. “Në më shumë se 50 për qind të seancave të Këshillit ajo ka munguar. Kjo është turp, ndërsa në 20 për qind të seancave pas pikës së tretë, e ka lëshuar mbledhjen. Ne këtë nuk e kemi merituar si këshilltarë as para qytetarëve, sepse ata na kanë zgjedhur”, tha Goran Jovanovski nga VMRO-DPMNE-ja. Ai tha se në shenjë pakënaqësie për këtë injorim që i bëhet Këshillit, e lëshojnë seancën. Mungesën e Arifit e arsyetoi kryetari i Këshillit të Komunës Hisen Xhemaili, i cili tha se është njoftuar paraprakisht se ajo nuk do të jetë prezent në seancë. Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së braktisin seancat e Këshillit të Komunës së Tetovës, edhe pse gjatë qeverisjes katër vjeçare, edhe në nivel lokal BDI dhe VMRO-DPMNE kanë qenë në koalicion. “Ne jemi në pritje të vendimit të gjykatës kushtetuese dhe nëse nuk ka ndonjë vendim atëherë praktikisht kjo është seanca e fundit e kësaj përbërje të këshillit sepse më 15 maj përfundon mandati. Pasojat nëse nuk vazhdohet mandati do të jenë edhe për qytetarët dhe të punësuarit”, tha Hisen Xhemaili, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës. Po ashtu këshilltarët miratuan edhe strategjinë e komunës për zhvillimin e turizmit në Komunën e Tetovës për periudhën 2017-2022 si dhe strategjinë për zhvillim të qëndrueshëm të Komunës së Tetovës për periudhën 2017-2021. Krahas kësaj, janë miratuar edhe shumë plane urbanistike për vendbanimet e Tetovës dhe rrethinës të cilët janë përfshirë në procesin e legalizimit. Gjatë seancës së të mërkurës është marrë vendim që 14 familjeve nga Tetova dhe rrethina t’ju ndahen ndihmë financiare. Vlera e përgjithshme e kësaj ndihme është 1 milion 770 mijë denarë. (koha.mk)