Është rikthyer në muzikë pasi i ka munguar shumë. Këngëtarja nga Peja që jeton në Gjermani, Vlora Kastrati Shala na tregon në një bisedë për InfraRed të gazetës KOHA eksperiencën e saj të jetës mes muzikës dhe dashurisë për familjen si një nënë e 6 fëmijëve e mes tyre edhe trinjakë
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Je rikthyer me një projekt të ri, na fol për bashkëpunëtorët dhe finalizimin e tij?
Bashkëpunëtorët janë i madhi Florent Boshnjaku (muzika dhe orkestrimi), Arsim Bunjaku teksti, violinë Adi Malaj, të cilët e finalizuan me shumë përkushtim.
KOHA: Sa e kënaqur je nga ky projekt?
Jam jashtëzakonisht e kënaqur, pata nderin të punoj me mjeshtrit e mëdhenj Florent Boshnjaku e Arsim Bunjaku. Publikut i falënderohem përzemërsisht që jam pritur aq mirë, ju do Vlora.
KOHA: A ju ka munguar publiku pasi atij i keni munguar shumë, sepse projekti është pritur mjaft mirë?
Shumica që më kanë njohur edhe e kanë pritur që një ditë do dal Vlora me një këngë të re.
KOHA: Me çfarë është marrë gjithë kësaj kohe Vlora jashtë muzikës?
Jashtë muzikës përpos edhe që jam violiniste dhe e dua këngën shumë, kryesisht jam marrë me familje ka 20 vite e martuar, kam 6 fëmijë që i ris e edukoj, ndër ta kam dhe trinjakët.
KOHA: Jeton në Gjermani, por nuk harron të vizitosh gjithë trevat shqiptare? Për çfarë ke mall më shumë kur viziton vendet ku flitet shqip?
Po, jam ardh si 12-vjeçe me familje, atë kohë në Gjermani ku këtu jam shkolluar. E pushimet i keni kaluar çdo herë në vendet shqiptare . Sarandë, Vlorë, Ksamil e Ulqin. Kryesisht kam mall për Pejën kam të afërmit atje dhe shoqërinë që më kanë afruar në çdo aspekt edhe pse në fëmijëri jemi larguar por kontaktin e kemi akoma. Kam shoqëri shumë në Peje .
KOHA: Ju muzikën e keni pasion apo jetoni në sajë të muzikës?
Po muzikën e kam pasion, kemi studion tonën ku bëjmë me bashkëshortin muzikë edhe për qejfi edhe fëmijët ushtrojnë me instrumentet e tyre.
KOHA: Keni ndonjë surprizë me ndonjë këngë solo?
Po kam një surprizë, së shpejti do të publikoj një këngë solo të punuar nga bashkëshorti, këngë popullore të vjetër, dhe më pas po shpresoj të kem një këngë tjetër të punuar nga maestrot që i përmenda më lartë.
KOHA: A mendoni se kënga vlerësohet nga numri i klikimeve që merr?
Jo nuk besoj që kënga vlerësohet vetëm nga klikimet.
KOHA: Si të bën të ndihesh kur të gjithë të njohin si këngëtare e njohur tek shqiptarët?
Ndihem shumë e lumtur por dhe krenare që kemi një popull që dinë të të përkrahin dhe nuk t’i humbasin vlerat.
KOHA: Sa e përmbushur është Vlora në jetën private, për gjithë ata që nuk e dinë a mund të mësojmë si është statusi juaj?
Vlora është më se e përmbushur, pasi që rris e edukoj 6 fëmijë. Këto 5 vitet e fundit me trinjaket ka qenë diçka krejt më ndryshe, ka pas lodhje e net pa gjumë, por dhe shumë kënaqësi dhe dashuri. Jam aktive dhe shumë e lumtur siç thonë populli, “qejfi të mbanë”.