Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ku po diskutohet lidhur me Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për punën tremujore të këtij misioni në Kosovë, ka treguar se si zyrtari rus i UNMIK-ut, Mihail Krasnoshçenko, ka tentuar ta pengojë Policinë e Kosovës duke vendosur barrikada.
Ajo ka thënë se në veturën zyrtare të UNMIK-ut që po drejtohej nga Krasnoshçenko, është gjetur një motor i drunjve i cili ishte përdorur për të vendosur barrikada, transmeton Klan Kosova.
“Më 28 maj, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion për t’i arrestuar personat e dyshuar për keqpërdorim të pozitave zyrtare, ryshfet dhe tregti të jashtëligjshme. Në kuadër të një hetimi, Gjykata Themelore ka lëshuar urdhër për bastisjen e disa lokacioneve; shënjestrat kanë qenë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës”.
“Të dyshuarit e arrestuar janë qytetarë të Kosovës nga komunitete të ndryshme. Policia e Kosovës nuk është ballafaquar me kurrfarë rezistence gjatë zbatimit të operacionit me një përjashtim të madh në Zubin Potok”.
“Në mesin e personave që kanë rezistuar ka qenë edhe një diplomat rus që ka përdorur automjetin zyrtar të UNMIK-ut për të ngritur një barrikadë me qëllim që ta pengojë Policinë ta realizojë operacion. Ai ka përdorur veturën e UNMIK-ut për ta bartur një sharrë, e cila ishte përdorur për t’i prerë drunjtë dhe për t’i hedhur në rrugë si barrikada”.
“Personi në fjalë e ka vendosur automjetin zyrtar para barrikadave. Ai ka refuzuar që të bashkëpunojë dhe ka mohuar ofrimin e dokumenteve identifikuese. Policia e Kosovës ka vazhduar me arrestimin e këtij individi”.
“Në ditët pasuese, autoritetet kosovare kanë vendosur që t’ia mohojnë hyrjen personit në fjalë. Pastaj ai është liruar dhe është transportuar për në Serbi. Përkundër pengesave, zyrtarët tonë policorë kanë kryer me sukses punën e tyre. Qëllimi i këtij operacioni ka qenë që të parandalohet krimi i kryer në koordinim me shtetin serb”.
“Kosova ka qenë nikoqire e një numri shumë të madh të OKB-së. Ata janë miqtë tanë. Asnjë anëtar i këtij misioni nuk është ballafaquar me dhunë apo sulm në Kosov. Por ne e gjejmë befasuese që shërbyesi i OKB-së ka devijuar kompetencat e tij dhe e ka gjetur vetën duke penguar forcat policore në Kosovë. Institucionet e Kosovës kërkojnë hetim ndaj personit në fjalë”.
Ambasadorja Çitaku ka thënë se sundimi i ligjit në Kosovë paraqet parehati në Beograd, duke shtuar se nuk është çudi fakti që i dyshuari kryesor për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ka gjetur strehim në Serbi.
“Dua ta theksoj se Kosova dëshiron dialog me Serbinë por nuk dëshiron një proces të kushtëzuar. Po ashtu Kosova ka zbatuar çdo marrëveshje të arritur në Bruksel”.
“Propaganda e Serbisë është një kërcënim për paqen. Është e papranueshme përpjekja e Serbisë për ta përshkruar Kosovën si një vend të egër. Në shekullin e 19-të, kryeministri serb na përshkruante si njerëz të egër dhe me bishta. Tani një shekull më vonë ata përpiqen që ta rishkruajnë historinë e tyre.
Ajo çfarë ka bërë deputetja Fora Brovina është dënuar unanimisht në Kosovë. Unë vet e kam dënuar veprimin e saj. Ishin mediat tona dhe gjyqësori jonë që ka thënë se fotografia ka qenë false”.
“Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të ndalojë rrugëtimin e saj për paqe dhe drejtësi. Ne do të vazhdojmë me kurajën e bindjeve tona. Një ditë profesionalizimi i institucioneve tona do të përputhet me këmbëngulësinë e shoqërisë sonë. Ju ftoj që ta vizitoni Kosovën dhe do ta shihni përparimin e atij vendi”.