Shkup, 13 dhjetor – Ballkanit perëndimor do t’i nevojiten 50 vjet që ta arrijë standardin mesatar të Bashkimit Evropian. Me shkallën e tanishme mesatare të rritjes në ekonomitë e shteteve nga Ballkani Perëndimor, standardi do të rritej dyfish për mbi 20 vite.
Këtë e tregon hulumtimi që e prezanton kryetari i Lidhjes së ekonomistëve të Serbisë, Aleksandar Vllahoviq në debatin e sotëm “Sfidat e bashkëpunimit ekonomik rajonal”, që e organizon Oda ekonomike e Maqedonisë.
“Problem kyç për zhvillim të ekonomive është mungesa e institucioneve të zhvilluara, duhet të braktisen politikat populiste dhe të mundësohet punësimi i të rinjve”, vlerëson Vllahoviq.
Ai paralajmëron se borxhi publik i shteteve nga rajoni duhet të mbahet në nivel nën 50 për qind të BPV, si masë të kujdesit, duke marrë parasysh paralajmërimet se gjendemi në prag të krizës së re ekonomike. Brengosëse është lëvizja e aktivitetit kreditor, i cili po rritet, por te popullata, e jo te kompanitë.
Shkalla e papunësisë nuk e e ndjek rritjen e përgjithshme të aktiviteteve ekonomike dhe kjo ka të bëjë me zhvendosjet demografike, e jo me ekonominë. Problem kyç është papunësia e të rinjve, e cila posaçërisht është e shprehur në Maqedoni dhe nevojiten aksione për ndryshime të rëndësishme”, tha Vllahoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjes së kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski se çka duhet të ndërmerret, Vllahoviq tha se duhet të përfundojë tranzicioni ekonomik dhe të mos udhëhiqet politikë populiste, por vizionare shtetërore.
“Nuk ka ekonomi të suksesshme të tregut nëse nuk keni ndërtuar institucione të pavarura dhe reforma të përfunduara strukturore”, tha Vllahoviq, duke përmendur edhe se investimet e huaja janë të rëndësishme, por se nuk ka prosperitet të ekonomisë vendore nëse anashkalohen investuesit e vendit.
Debati në Odën ekonomike të Maqedonisë iu kushtua sfidave të bashkëpunimit ekonomik rajonal, si parakusht të domosdoshëm për të ardhmen e rajonit të Ballkanit Perëndimor si tërësi.