Bujar KURTAJ
Shkup, 7 korrik – Nga 26 qershor e deri më 2 korrik në Ohër është mbajtur kampi i tretë me radhë “Handball Camp Kiril Lazarov 7”, në të cilën kanë marr pjesë më shumë se 300 hendbollist nga gjithë Evropa, përfshi këtu edhe Danimarkën, Suedinë, Bosnja e Hercegovina dhe të tjerë, pastaj kanë qenë të përfshirë edhe trajner nga Gjermania e Danimarka. Ndryshe, për hendbollistët më të moshuar (18 vjeç) janë përkujdesur Vlladimir Gligorov, Driton Idrizi dhe Ilija Janev. Ndryshe, për Driton Idrizi, trajnerin e klubit hendbollistik “Shkupi” është ky një vlerësim i madh që i është bërë duke qenë pjesë e kampit të hendbollistit më të mirë nga Maqedonia, Evropë dhe në Botë, Kiril Llazarov.
Idrizi në këtë kamp ka marr pjesë edhe me dhjetë hendbollist nga klubi i tij, ndërsa për gazetën KOHA, shprehet i kënaqur me rrjedhën e këtij kampi, sidomos me faktin se dy hendbollist nga klubi i tij, janë përzgjedhur që të jenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në kategorinë e kadetëve. “Nga 26 qershor e deri më 2 korrik bashkë me dhjetë hendbollist të KH ‘Shkupi’ dhe një hendbollist nga Prishtina kemi qenë pjesë e kampit, i treti me radhë “Handball Camp Kiril Lazarov 7”,i cili u mbajt në Ohër dhe që e organizon hendbollisti më i mirë nga Maqedonia, Evropa dhe Bota, Kiril Llazarov. Kam qenë i privilegjuar që mu dha mundësia që bashkë me Vlladimir Gligorovin, ish-seleksionuesin e përfaqësueses së Maqedonisë dhe trajner i mirënjohur të stërvitim më të moshuarit, pra hendbollistët deri 18 vjeç. Ndryshe, në këtë kamp kanë qenë prezent mbi 300 hendbollist nga gjithë Evropa, ndërsa më shumë ka pasur ka Danimarka, Suedia dhe Bosnja e Hercegovina, derisa ka pasur edhe dy trajner nga Danimarka dhe Gjermania”, tregon për KOHA trajneri me perspektivë Driton Idrizi.
Sipas tij, qëllimi dhe pjesëmarrja në këtë kamp ka qenë edhe një mundësi që të shihet puna e tij trevjeçare fillimisht në akademinë e më pas në KH “Shkupi”. “Qëllimi i këtij kampi ka qenë që hendbollistët të njoftohen mes veti dhe të shohin se si punohet, të shihet kualiteti dhe të bëhen krahasimet se ku jemi ne dhe ku janë ata. Hendbollistët 24 orë kanë qenë të lidhur vetëm me hendbollin. Ndërsa, më e rëndësishmja për mua si trajner i KH ‘Shkupi’ ka qenë që të shihet puna tre vjeçare që kemi arritur ta bëjmë. Derisa, nuk kanë munguar vlerësimet nga të tjerët sidomos nga vetë Kirill Llazarovi, i cili ka qenë prezent në çdo stërvitje dhe para të gjithëve ka thur elozhe për klubin tonë, për mua si trajner dhe për mënyrën se si lojtarët sillen para dhe gjatë stërvitjes. Kuptohet një vlerësim i tillë nga Llazarovi mua si trajner më jep një motiv shtesë që të vazhdoj me punën që e kam filluar dhe të arrijmë të prodhojmë lojtar shqiptar të cilët do të lënë shenjë në hendbollin vendor e pse jo edhe në atë ndërkombëtar”, shtoi më tej Idrizi.
Ndërkohë, sipas Idrizit dy hendbollist nga KH “Shkupi” janë përzgjedhur të jenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë për kadet. “Nga gjithsejtë dhjetë hendbollistët që morëm pjesë në këtë kamp, dy prej tyre janë përzgjedhur që të jenë pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë në kategorinë e kadetëve. Ata janë Artan Alija dhe Agan Rustemi, dy hendbollistët shumë të talentuar të cilët nuk dyshoj se do të arrijnë të arsyetojnë besimin që u është dhënë”, përfundoi Driton Idrizi, trajneri i klubit hendbollistik “Shkupi.