Omer XHAFERI
Shkup, 8 tetor – Ndryshimet e paralajmëruara të Ligjit për Këshillin Gjyqësor synojnë rritjen e transparencës të këtij organi të rëndësishëm gjyqësor, si dhe thjeshtëzimin e procedurës disiplinore për vërtetimin e përgjegjësisë te gjykatësit, shkruan gazeta KOHA. Në përmbajtjen e këtij Propozim-ligji, thuhet se kompetencat e Këshillit Gjyqësor janë zvogëluar me themelimin e Këshillit për verifikimin e fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatësve, i cili u miratua në vitin 2015, gjegjësisht për votimin e këtij Këshilli, kabineti i atëhershëm qeveritari hasi në një kritikë të ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.
“Me shfuqizimin e Ligjit për Këshillin e verifikimit të fakteve dhe përgjegjësisë së gjykatësve, të gjithë procedurat e mëtutjeshme do t’i udhëheq Këshilli Gjyqësor, me çka anëtarët të cilët e kanë iniciuar këtë procedurë, si dhe anëtarët tjerë të cilët marrin pjesë në hetimet, nuk do të kenë të drejtë votë gjatë marrjes së vendimit për përgjegjësisë disiplinore. Duke i pasur parasysh këto dispozita, ne vlerësuam se urgjentisht duhet të ndryshohen këto dispozita dhe të njëjta të harmonizohen me rekomandimet ndërkombëtare”, thuhet në draft versionin e Ligji për Këshillin Gjyqësor, përcjell KOHA. Ndryshe, në raportin e fundit të cilën Instituti për të drejta e njeriut (IDNJ) e publikoi, thuhet se prej monitorimit të punës së Këshilli Gjyqësor, që ka filluar në janar të këtij viti e deri në fund të muajit korrik, ka përmirësimi pozitive. Megjithatë, edhe matej mbetet shqetësuese çështja e transparencës gjatë sjellës së vendimeve për përgjegjësinë disiplinore të gjykatësve. Monitorimi i punës së Këshilli Gjyqësor gjatë periudhës maj-korrik, nga IDNJ ka konstatuar se janë zhvilluar tetë seanca, me çka disa pika të rendeve të ditës në këto seanca kanë qenë të mbyllura për opinionin, respektivisht publikut nuk i është mundësuar të ndjek nga afër vlerësimin e punës së gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave. Gjatë kësaj periudhe, siç thuhet në raportin e IDNJ, të publikuar së fundmi, theksohet se në seanca e apostrofuara të Këshilli Gjyqësor, ne rende ditë ka qenë edhe përsëritja e vlerësimit të punës së gjykatësve, mirëpo edhe këto diskutime janë zhvilluar larg syve të opinionit. Vërejtje tjetër e përfshirë në raportin e IDNJ-së, organizatë kjo e cila drejtohet nga juristja e dalluar, Margarita Caca Nikollovska, është se Këshilli Gjyqësor raportin e punës për vitin 2016 e ka përgatitur dhe dorëzuar me tre muaj vonës, gjegjësisht në vend se ky raport para deputetëve të dorëzohej në muajin mars, i njëjti është përgatitur dhe dorëzuar në muajin qershor. Digjitalizimi i punës së Këshillit Gjyqësor, sipas të dhënave të këtij raporti, vazhdon të mbetet problematike. Për këtë arsye, kryetarja e IDNJ-së, Caca Nikollovska, ka rekomanduar që në periudhën në vazhdim adresa elektronike e Këshillit Gjyqësor të azhurnohet në të gjitha sferat, duke i mundësuar opinionit që informacionet relevante të jenë lehtë të kapshme për ta, ndërsa vendimet të renditura në bazë të datës dhe kohës kur janë miratuar. Nga IDNJ-ja thonë se Këshilli Gjyqësor duhet të mbajë llogari për gjykatësit të cilët pritet të zgjidhen për gjykatat më të larta ose për kryetarë të gjykatave të promovohen gjykatës me standarde të lartë të sjelljeve tyre, me të vetmin qëllim përforcimin e besimit të qytetarëve në sistemin e juridik të Maqedonisë. (koha.mk)