Vjosa Osmani: Xhokeri i djegur i Vitit

3

Është dashur të pritet viti 2019 që një parti e madhe politike të nominojë një grua për të marrë postin politik më të rëndësishëm në vend – atë të kryeministrit. Këtë e ka bërë LDK-ja me njërën prej deputeteve më të votuara të saj – Vjosa Osmani. Por, gjithçka ka qenë pjesë e një pazari më të madh brenda partiak.

Për dallim prej vitit 2015, kur Osmanit iu mohua kandidatura për kryetare të LDK-së, e kjo bëri shumë zhurmë e akuza, këtë vit, për procesin e njëjtë heshti. Natyrisht, në këmbim të premtimit se do të jetë kandidatja për kryeministre. Me rezerva e kundërshtime, nga Agim Veliu e Lutfi Haziri, dhe me Isa Mustafën që harroi gjithë përplasjet publike me të, Osmani u nominua dhe u soll si fituese qysh në nisje të fushatës. Ajo dha mesazhe të ndryshimit të madh, edhe pse partia e saj ka bashkëqeverisur Kosovën për shumë vjet, dhe ka pjesën e saj të përgjegjësisë për atë që quhet shtet i kapur. LDK-ja e përdori Osmanin për të përmirësuar renditjen e saj katastrofale nga zgjedhjet e kaluara kur përfundoi e treta, pas PAN-it dhe VV-së, raporton KTV.

Partia dukej më e unifikuar se kurrë dhe me sondazhet që e nxirrnin gjithmonë të parën, bëri fushatë komode, dhe tha se është e gatshme ta marrë Vetëvendosjen në qeverisje. Por, fytyra të ngrysura u shfaqën sërish në LDK në një natë elektorale. Këtë herë të dytët, por prapë jo fitues.

Osmani fillimisht ishte aktive, e më pas nisi të kërkohej pasi që nuk doli shpesh e nuk dha qëndrime për koalicionin me VV-në. Kur pritej një reagim ndryshe, Osmani e vazhdoi linjën e partisë dhe madje e vlerësoi të suksesshme qeverisjen LDK-PDK, të cilën nuk e kishte votuar, dhe duke folur kundër saj kishte marrë kaq shumë vota. Por, në fund Osmani rezultoi xhoker i djegur i partisë 30 vjeçare.

Comments are closed.