Është një yll i muzikës kosovare, këndon gjatë kohë dhe realizon gjithmonë projekte të bukura. Vjosa Emini vjen në një intervistë për InfraRed të gazetës KOHA bashkë me një set fotografishë për të treguar mbi jetën e saj dhe karrierën. Është një nënë e lumtur, një zyrtare e zonja, por edhe një këngëtare e mrekullueshme
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Vjosa, si u përfshive në muzikë, albumi juaj live a mund të quhet mirëfilli një rikthim në muzikë?
Muzika ka qenë hobi për mua, por tani më është bërë profesion sepse kërkesat e shumta që kam bashkë me eventet e ndryshme që më ftojnë të jem prezente.
KOHA: Ç’vend zë muzika në jetën tënde?
Muzika është relaksim për shpirtin tim.
KOHA: Zgjohesh në mëngjes dhe si nis dita jote?
Zgjohem në mëngjes dhe filloj punën time të rregullt në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
KOHA: Flitet që je duke punuar paralelisht për këngë të reja. Mund të dimë më shumë detaje rreth tyre?
Tani kam edituar projektin tim të ri dhe jam shumë e kënaqur me realizimin e këngës dhe klipit.
KOHA: Jemi në fillimet në muzikë, si kanë qenë për ty duke e ditur që ke kultivuar muzikën e pastër shqipe?
Është kënaqësi e imja të këndoj shqip.
KOHA: Gjithsesi, publiku është ai që jep gjykimin më të drejtë…Si ndikoni në jetën dhe perceptimitek publiku?
I pranoj mirë kritikat dhe mundohem të jem e mirë me publikun.
KOHA: Mendon se ia “rrëmbeve” zemrat atyre me muzikë, a ke menduar për ndonjë profesion tjetër?
Jam magjistre e diplomacisë dhe kam profesion në punën që e bëj, jam zyrtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, jam shumë e kënaqur me profesionin tim aktual.
KOHA: Në shtëpi krahas ndjenjës komode, çfarë bën, përgatit, lan enët, rregullon shtëpinë?
Kur kam kohë të gjitha i bëj me kënaqësi (qesh).
KOHA: Pasi i vendosni kyçin derën, lini jashtë saj edhe çështjet e problematikave në punë apo i merrni me vete?
Mundohem dhe i lë pas të gjitha dhe merrem me punën që bëj.
KOHA: Kuzhina është një pasion tjetër i yti, të cilin jo të gjithë e njohin. Çfarë të tërheq më shumë në këndin e gatimit? Receta e preferuar?
E thash kur kam kohë përgatiti dhe jam e mirë në kuzhinë, pite, flija pasta (qesh).
KOHA: Dashuria kalon nga stomaku thonë…Cila është pjata e preferuar e bashkëshortit tënd dhe që ti e gatuan me shumë dëshirë, gjithmonë?
Nuk kam ende burrë (qesh).
KOHA: Cili është vendi më i bukur në botë për ty?
Shumë vende më pëlqejnë, po kisha dashur me cek Italinë.
KOHA: Hera e fundit kur ke qenë në pushime?
Para pak ditësh në Mal të Zi, Budva.
KOHA: Shumëkush, sidomos person publik, nuk e ka luksin e të qenit i “pagjykuar”! Vlen e njëjta gjë edhe për ty?
Jam e thjeshtë dhe komode në jetë.
KOHA: Gjëja që doni më shumë në punën tuaj?
Sinqeritetin, korrektesinë.
KOHA: I keni qejf fëmijët? Doni një familje të madhe?
E kam një vajzë – Tiarën, që më mbush me energji pozitive.
KOHA: Si e sheh veten si mama e ardhshme?
Super mama, më e lumtura në botë!
KOHA: Jeni supersticioze si natyrë? Kur të ndodh mrekullia, mendon se do e tregosh direkt apo pas tre muajve, sipas zakonit?
S’kam komplekse aspak, mundet të tregohet menjëherë mrekullitë i dua.
KOHA: Çfarë leksioni të kanë dhënë prindërit?
I falënderoj shumë prindërit, jam me fat që i kam afër vetes që më mbështesin gjithmonë!
KOHA: Gjëja e preferuar që dëshiron të bësh çdo të diel?
Relaksim me familje dhe të luaj tenis.
KOHA: Libri i fundit që ke lexuar?
Të tregoj drejtë ka kohë që s’kam lexuar libra, por psikologji lexoj shumë.
KOHA: Hera e fundit që ke qeshur aq shumë, sa të kanë dalë lot?
Qeshi shumë, jam e hareshme (qesh).
KOHA: Kënga që këndon në dush?
Hmmm ka shumë… cila më kujtohet e këndoj.
KOHA: Projektet që ju presin?
Projektet s’kanë me pas të ndalur tash jemi në sezonë të verës kam dasma, mbrëmje, shpresoj do të jetë një verë e mirë.