Një këngëtare shumë e njohur e që vazhdon të shkëlqejë ngado që shfaqet, është kjo Vjollca Luka e cila vjen në një rrëfim për Infrared të gazetës KOHA duke treguar nga fillimi i karrierës e deri më sot si ecën muzika
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni vite në skenë, gjatë viteve të 90’ këngëtarë kishte më pak e vlera më shumë, gjersa sot po ndodh e kundërta, si këngëtare e mirëfilltë e muzikës shqipe, a mund të na bëni një paralele të zhvillimit të muzikës atëherë dhe sot?
Jam plotësisht dakord me atë që sapo e thatë më lartë, në vitet e 90 e deri në fillim të vitit 2000 kjo ka qenë një dekadë ku këngëtarë apo artist nuk je bë brenda natës, është dashur një bagazh i tërë aftësish që të arrish suksesin që kemi pasur unë e shumë koleg të mi të nderuar të asaj kohe, nuk kemi pasur privilegj që u ofrohet talentëve të ri sot duke filluar nga studio më profesionale e deri tek mirëmbajtja fizike, duhet të pajtohemi me faktin që jo vetëm me muzikë por në shumë fusha të tjera të jetës tonë gjërat po shkojnë jo mirë.
KOHA: Cilat janë tri këngët e tua, që kanë lënë gjurmë në muzikën shqipe?
Nuk janë vetëm tri, por do veçoja ‘Ty të kujtoj’ nga albumi im i parë, ‘Do të vishë’ dhe ‘Flutura’.
KOHA: Çfarë nuk mungon asnjëherë në valixhen e Vjollcës, kur udhëton?
(Qesh), make up dhe brusha e dhëmbëve.
KOHA: Qyteti, apo vendi ku ju relakson dhe do ktheheshit me dëshirë?
Shkodra.
KOHA: I kushtoni rëndësi të madhe skenës, cila është paraqitja juaj që edhe sot kur t’i shikoni fotografitë, ju ngjallë emocion?
Kam shumë foto që i shoh me kënaqësi e me të vërtetë më ngjallin emocion të veçantë, sidomos ato koncerte live me orkestrën e operës dhe baletit në RTVSH, pastaj kam edhe nga ajo që i grisi copë e grimë.
KOHA: Çfarë kujton nga fëmijëria, na shpalos ndonjë kujtim që sot ke nostalgji?
Unë jam rritur pa babin tim, që fatkeqësisht e kam humbur në një aksident kur kam qenë vetëm dy vjeçare, e kemi ndjerë shumë mungesën e tij unë, dy vëllezërit e mi dhe motra, por kam një nënë heroinë e nga fëmijëria ime si kujtim më i bukur,më nostalgjik më vjen fytyra e saj plot dashuri e plot paqe, rrezatim pozitiv që më mbush me lumturi edhe sot.
KOHA: Nga cila këngëtare inspiroheni dhe vazhdoni t’a shikoni si model të suksesshëm?
I dëgjoj me shumë kënaqësi shumë këngëtarë nga ata më të vjetrit e deri tek ata më të rinj, si model nuk marr dikë, thjeshtë i dëgjoj për kënaqësinë time, kaq.
KOHA: Cilat janë projektet muzikore që ke në plan t’i lansosh gjatë muajve në vijim?
Sapo kemi lançuar këngën më të re ‘Mos u marto’ një bashkëpunim me bashkëshortin tim Gjovanin, kënga po ecën mjaft mirë, faleminderimi shkon për gjithë fansat, kemi realizuar disa projekte për festat e fundvitit, pas Vitit të ri do filloj punimin e një projekti të ri që shpresoj të finalizoj nga fillimi i pranverës.
KOHA: Jeni gati për një album të ri? Çfarë përmban albumi? Kur mund të dalë në treg?
Në fakt, është në planet e mia të realizoj një album me këngë qytetare që janë këngë shpirti.
KOHA: Profesioni juaj është kënga. Jetoni vetëm me këtë profesion?
Për momentin merremi vetëm me muzikë.
KOHA: Jeni bërë nënë shumë herët?
Jo edhe aq herët, por në kohën e duhur (qesh).
KOHA: E megjithatë ardhja e saj në jetë ka qenë dhe një moment kthese për ju?
Të qenit nënë të ulë me këmbë në tokë, nuk je prioritet ti, por fëmija që ke sjellë në jetë.
KOHA: Ma merr mendja që në këtë përkufizim duhet të futet dhe fakti që jeni dhe amvisë shumë e mirë?
Përpiqem të jem, kam mësuar nga mami im, por shumë edhe nga vjehrra ime, se mami më ka lazdruar shumë.
KOHA: Keni shumë vite me të njëjtën pamje. Ndonjë përkujdesje të veçantë për veten?
Ndoshta po tingëllon si modesti e tepruar por përveç gjërave bazike që i bën çdo grua për t’u dukur bukur nuk është që kam bërë diçka extra.
KOHA: Keni qenë gjithnjë një grua e bukur. E keni vlerësuar pamjen tuaj?
Sigurisht e vlerësoj çka m’ka dhënë i madhi Zot, por mua më lumturon më shumë fakti kur njerëzit më vlerësojnë më shumë bukurinë shpirtërore, bukuria fizike është kalimtare, shpirtërorja jeton edhe pasi nuk jemi ne në këtë jetë.
KOHA: Si e shihni sot muzikën popullore, ndërsa shumë debutues dhe e kanë bastarduar?
Ne kemi muzikën popullore më të bukur në botë, ne duhet të krenohemi me larminë e ngjyrat e saj, sa për ato ose ata që e bastardojnë as që i dëgjoj fare.
KOHA: Ndjeheni keq kur një këngë të kënduar nga ju, dikush e bastardon?
(Qesh), jo aspak nuk ndihem keq, por më vjen keq për ato.
KOHA: Është më mirë 20 apo 40 vjeçe?
(Qesh), më mirë 20 sigurisht ose 18 më mirë.
KOHA: Jeni penduar që jeni martuar në moshë të re?
Jo për asnjë moment, familja që kam krijuar është shumë e shenjtë për mua, nuk ka vend për përtesë.
KOHA: Veshja që preferoni dhe raport që keni me paranë?
Jam në mes të klasikes dhe të përditshmes, mjafton të ndihem rehat, kurse paratë i dua shumë, kush nuk i do? (qesh), por jam e kujdesshme në shpenzimin e tyre vend e pavend, si e theksova më lartë prioritet janë vajzat e mia, shkollimi dhe mirëedukimi i tyre.