Unike e vërtetë, ashtu siç thotë, solli diferencën kur erdhi në Kosovë për të kuptuar disanjinin, brendin dhe rrobaqepësinë. Kjo është disenjatorja e njohur shqiptare Vjollca Llapashtica, e cila në rrëfimin e saj për gazetën tonë ka shumë për të na thënë qoftë për konkurrencën e keqe e deri se për kë do të punonte 24 orë në shtatë ditë pa ndërprerje për dy femra shumë të njohura. Po çfarë e frymëzon vetë personazhin që vesh yjet e botës, e shumë çka tjetër na e thotë sinqerisht ndërsa më në fund ka gjetur kohë të realizojë edhe disa super foto me fotografin e njohur Jeton Bylykbashi, foto të cilat janë enkas për InfraRed të gazetës KOHA
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Vjollca kjo është stina më e ngarkuar apo koleksioni i verës ka mbaruar nga ju?
Unë prezantoj koleksione sipas ndjenjës momentale. Këtë vit deri me tani kam prezantuar tre koleksione gjatë dimër/pranverë për Verën 2019. Është ai “B.Y.U” – Build Yourself Up, ky koleksion i ndërtuar për ahengjet solemne dasmore. Gossip Girls – për vajzat tona që kanë dëshirë dhe konfidencë të dallojnë në një mbrëmje solemne siç është mbrëmja e maturës dhe dasma. “Like a Dream”- ky koleksion i fustaneve të nusërisë është ndërtuar për ëndrrën e çdo femre që do të bëhet nuse dhe që e ka dëshirën të jetë unike. Këto fustane nusërisë janë punuar me shumë kujdes dhe delikatesë. E gjithë kjo pune parapërgatitje për sezonin e verës, pa dyshim është sezoni më e ngarkuar gjatë një viti.
KOHA: Je unike në stilin tënd, por gjithmonë ka frymëzim, çfarë të frymëzon teksa shohim më pas super veshje?
Me fascinon ndjenja dhe mendja, çdo herë është e ndryshme siç janë dhe prezantimet e koleksioneve. Varet çdo sezon se çfarë ndjej dhe çfarë mendoj, natyrisht përfundimtarja është shija dhe stili im personal.
KOHA: Në Kosovë disenjatorë ka plot, por cilësia e bën dallimin, i sheh ata si konkurrentë të mirë apo që të prishin punë?
Konkurrenca është shumë e nevojshme për çdo lloj profesioni, kështu e kam konkurrencën e mirë, por një pjesë shumë e dukshme e madhe nuk ka respekt ndaj punës së vet, kjo pjesë ka shumë cilësi të dobët dhe këta janë ata që mundohen të prishin vlerën e këtij profesioni.
KOHA: Ke punuar shumë me VIP-a që nga Amerika e deri në Kosovë, mendon se ato ua dinë për nder sepse do të ishin dukur mjaft keq pa dorën tuaj?
Kam kënaqësinë të them që kam shumë bashkëpunime me të njohura jashtë vendit po ashtu në vend. Vetëm një artist i kompletuar dhe një karakter me konfidencë e respekton dhe vlerëson këtë. Unë kam sjell një frymë tjetër, sepse kur erdha në Kosovë në 2010-n kam gjetur rrobaqepësi dhe fustane në Kosovë. Unë bëra diferencën mes dizajnit “brend luxoz” dhe rrobaqepësisë dhe natyrisht që tregu e mirëpriti këtë, por kam pas dhe shumë vështirësira, u përballa me shumë propagandë, nga kërcënime dhe plot kundërshtarë.
KOHA: Ka Vjollca një të preferuar qoftë të huaj apo shqiptare që do ta bënte natën ditë sa herë ajo do të donte një veshje nga ti?
Patjetër, historia e karrierës së tyre më frymëzon, të pakrahasueshmet Madonna dhe Nexhmie Pagarusha do të punoja për to nga 24/7. Po veten e vesh apo i beson një marke të huaj e cilës? -Gjithmonë tē dini “brendi është një veshje ndërsa stili është personalitet dhe ajo që e shini”. Unë jam koxha shopaholic, prodhoj dhe blej brende të tjera, e një vepër fantastike që ka ndodh në Kosovë është hapja e Royal Mall në Prishtinë dhe brendet e saj dhe s’kemi më nevojë asnjë herë të udhëtojmë për një gjë.
KOHA: Je disenjatore e njohur, por ndodh që të jepni dhe këshilla kur dikush ju thotë se si duhet t’i kombinojë disa veshje të një marke të huaj?
Po kam gjithmonë pyetje nga klientët për kombinime për ahengjet e tyre, me klient jemi familjarizuar, por ndodh dhe nëpër restorante, kafe etj. që afrohen dhe kërkojnë një këshillë.
KOHA: Ke vetë ti një veshje që e ruan që kur ke qenë adoleshente?
I kam veshjet e nusërisë të mamit të viteve 70-ta “jelekun e arit”, ku i kam mbajtur pas vete shumë vite, janë copa shumë të veçanta unike dhe i veshi shumë shpesh.
KOHA: Je penduar ndonjëherë se pse je në këtë profesion?
Jo , nuk ka qenë zgjedhje për mua është vetëm pjesë e imja.
KOHA: Do të doje që vajza të ecte në hapat e mamit?
Vetëm në aspektin të kuptoi se sa e rëndësishme është të punoi me veten që të zgjedh profesionin për cilën është ndërtuar. Të respektoi veten po ashtu profesionin e natyrisht mua do më ketë në krah.