Një emër që me dekada i ka dhënë art të pastër shqiptarë muzikës tonë është dhe Vjollca Buçaj, një zonjë e vërtetë e skenës që vazhdon të këndojë duke mos u ndalur. Para pak dite ka hedhur në qarkullim dhe projektin e fundit, ndërsa vjen në një rrëfim të saj për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar të rejat e fundit, jetën, familjen dhe gjithçka që lidhet me muzikën!
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Na fol pak mbi projektin e fundit që keni realizuar, kanë kaluar disa muaj por vazhdon të dëgjohet?
Projekti i fundit ishte kënga e realizuar me klip ‘Zanin me ta ni’ e punuar mjeshtërisht nga Alban Furtuna, ku është pëlqyer mjaft mirë dhe vazhdon të dëgjohet ende.
KOHA: Jeni një nga këngëtaret më të pëlqyera të momentit në gjithë hapësirën shqiptare. Si ju bën të ndiheni ky fakt?
Më vjen mirë kur pëlqehem nga publiku, sepse tek e fundit ne kultivojmë këngë për publikun dhe kur ato këngë pëlqehen, normal që ndihem shumë mirë, inkurajohem që të punoj me vullnet dhe vet publiku është ai që na mban në skenë.
KOHA: Ka ndikuar emri i dikujt në karrierën tuaj?
Patjetër që në karrierën time gjithmonë ndikojnë emra të ndryshëm, sepse e gjithë puna jonë është punë ekipore, duke filluar nga kompozitori, tekstshkruesi, orkestrusi, projektuesi i videoklipit, mediat, gazetarët e deri te publiku i cili duke i pëlqyer këngët të afirmon dhe të zhvillon si këngëtare.
KOHA: Cili është personi në familje me të cilin jeni më shumë të lidhura?
Familja ime është e shenjtë dhe jam e lidhur mjaftë ngushtë me vajzën dhe dy djemtë që i kam!
KOHA: Po me fëmijët si i keni raportet dhe këshillat që ju jepni?
Me fëmijët raportet i kam mjaftë të ngushta, jap dhe marrë këshilla gjithmonë në vazhdimësi!
KOHA: Çfarë është për ju skena shqiptare?
Skena shqiptare për mua është podiumi ku e përjeton emocionin më të fortë dhe më të dashur që ekziston, të bën me ndjenjën sikur je duke fluturuar, sidomos kur publiku këndon bashkë me ty dhe arrin që emocionin tënd ta përçosh te ata!
KOHA: Sa e rëndësishme është performanca për ju në një këngë?
Krahas vokalit ka rëndësi edhe performanca sepse ajo sikur e rrumbullakëson suksesin e këngës.
KOHA: Cilin nga artistët shqiptarë vlerësoni më shumë?
Të gjithë i kam kolegë, i vlerësoj për çdo projekt të suksesshëm që bëjnë veçse artistët e rinj duhet përkrahur shumë!
KOHA: Mund të na rrëfesh për një nga koncertet që ka qenë më emocioniues për ty?
Në çdo koncert që kam performuar jam ndier shumë mirë, por veçoj koncertet e viteve 90-ta në diasporë ku mërgimtarëve përmes këngës i dërgonim një copë atdhe!
KOHA: A keni tentuar ndonjëherë në ndonjë projekt muzikorë të shfaqeni më rebele, krahas këngëve patriotike dhe të bukura popullore që këndoni?
Gjithmonë jam munduar që përmes këngës të shfaq karakterin tim dhe kam dëshirë të jem sa më origjinale, s’kam dëshirë të ndryshoj sepse është mësuar publiku me origjinalitetin tim dhe ashtu më do, nëse do kisha ndryshuar atëherë s’do isha më Vjollca Buçaj!
KOHA: Si e përshkruani ju veten?
Kush këndon keq s’mendon, për vetit tjera të miat kisha dashur të tjerët të flasin!
KOHA: A i këshilloni fëmijët që fillimisht të mbarojnë studimet pastaj të merren me aktivitete tjera?
Këshilla dhe dëshira ime ka qenë gjithmonë që fëmijët e mi të kenë prioritet shkollimin dhe të ndjekin ëndrrën e tyre!
KOHA: Ku e shihni veten pas 10 viteve?
T’ia lëmë kohës, lus që në radhë të parë ta kem shëndetin dhe të jem gjithmonë me projekte të reja dhe të pëlqehen nga ata që më mbajtën me dekada gjallë!
KOHA: Si është një ditë e juaja?
Një ditë e imja nga mëngjesi e deri në mbrëmje është me angazhime, pasi që jam edhe punëtore shëndetësore, grua për shtëpi dhe nënë e fëmijëve!
KOHA: Cili është vendi ideal për të pushuar?
Vendi ideal për pushime është aty ku i kam të dashurit e mi duke filluar prej bashkëshortit dhe fëmijëve e pastaj vendi veçse e plotëson pushimin dhe i jep kuptim!
KOHA: Përveç këngës, cilat janë hobet e tjera të tua?
Këngën e kam pasion dhe s’kisha me mendu jetën pa këngë, e hobi e kam gatimin, kuzhina mendoj është art, jetoj duke përgatit ndonjë pite ose gjellë për fëmijët!
KOHA: Cilat janë projektet tuaja të ardhshme?
Para dy ditëve veç sa e kam përfunduar incizimin e videoklipit të një kënge për kurbetin, shpresoj të pëlqehet dhe dëgjohet!