Urim HASIPI
Tetovë, 5 tetor – Muaji shtator dhe veçanërisht muaji tetor janë ndër më të vështirët në aspektin ekonomik për qytetarët e Tetovës, shkruan gazeta KOHA. Kjo është periudha kur ata përballen me harxhime enorme, të cilët dëmtojnë rëndë buxhetin e familjeve tetovare. Sipas qytetarëve, në këta dy muaj krahas harxhimeve për fillimin e vitit shkollor, periudha që pason është me rëndë. Ata thonë se duhet që të blejnë drunjtë për ngrohje që arrin shifrën deri në 50 euro për një metër kub të blerë. Përveç kësaj fillojnë edhe përgatitjet për sezonin dimëror, thonë qytetarët e Tetovës.
“Vjeshta vështirë përballohet, sepse ka shumë harxhime që nuk mund të përballohen. Duhet që të blejmë dru për ngrohje, 10 metër janë mbi 50 euro dhe kjo është diku rreth dy rroga dhe pastaj ku janë harxhimet tjera ditore. Vështirë e nxjerrim muajin me 260 euro në muaj”, thotë Afrimi, një banorë i Tetovës. Përndryshe, nëpër pikat e shitjes druri ndonjëherë arrin edhe çmimin mbi 50 euro bashkë me transportin, ndërsa për më shumë se 9 kilometra duhet që të paguhet transport shtesë. Pjesa dërmuese e amvisërive tetovare dimrit ngrohen me dru, ndërsa një pjesë e vogël me ngrohje qendrore. Kryefamiljarët shprehen se vështirë ia dalin deri në fund gjatë këtyre dy muajve.
“Këtë periudhë harxhimet i kemi enorme, nuk mund të mbijetojmë as dy javë, kur dihet se fëmijët kërkojnë kushte për në shkollë, veshje e kështu me radhë. Po ashtu edhe një djalë e kam student edhe ai ka kërkesat e tij dhe mund të them lirisht se tash jemi në kolaps”, shprehet për KOHA, Nexhbedini, një kryefamiljar nga Tetova. Derisa autoritetet qeveritare kanë theksuar se do të bëhet furnizimi me kohë dhe çmimi i druve nuk do të kalojë vlerën prej 50 eurosh, qytetarët thonë se mungesa e kësaj lënde djegëse ka bërë që çmimet në treg të jenë shumë më të larta. Ata thonë se muajt gjatë stinës së vjeshtës, janë më të papërballueshmit për tërë vitin, për shkak të shpenzimeve për sigurimin e druve, si lëndë djegëse për ngrohje. Qytetarët ankohen se nuk arrijnë që me të ardhurat e tyre të sigurojnë dru për të kaluar dimrin. Disa prej qytetarëve ankohen për çmimin e lartë të druve, e disa të tjerë për të ardhura të ulëta që nuk mund t’u mundësojnë të sigurojnë ngrohje për të gjithë sezonin. Përderisa shumica e qytetarëve ankohen për çmimin e lartë të druve, pronarët e depove ankohen për shitje të ulët. Nga Pyjet e Maqedonisë, njësia rajonale e Tetovës, theksojnë se Tetova ka nevojë për 100 mijë kubik dru për djegie, kurse Maqedonia në nivel republikan 100 milionë kubik, përderisa në hapësirat private metri i druve është 3500 denarë, në ndërmarrjet pyjore ky çmim është 2400. Krahas kësaj harxhimet kanë edhe përgatitjet për dimër të familjeve që po ashtu rëndojnë shumë buxhetin e tyre. (koha.mk)