Urim HASIPI
Tetovë, 30 shtator – Ditët e para të vjeshtës, të cilët u karakterizuan me reshje të shiut në Tetovë dhe rrethinë kanë gjetur Lumin Shkumbin të papastruar. Së këndejmi, Lumi Shkumbin në Tetovë vazhdon të jetë përplot me gurë dhe i papastruar gjatë rrjedhës së tij brenda në qytet, shkruan gazeta KOHA. I njëjti është përplot me rërë dhe gurë që vijnë nga pjesët më të larta dhe të njëjtat nuk janë larguar, gjegjësisht autoritetet lokale nuk kanë ndërmarrë masa për pastrimin e të njëjtit. Banorët janë shprehur të revoltuar dhe thonë se lumi duhet të pastrohet rregullisht. Ata sqarojnë se një pasqyrë e këtillë në Lumin e Tetovës zgjatë një kohë të gjatë dhe kërkojnë që të pastrohet, sepse në të kundërtën kjo mund të ketë pasoja gjatë periudhës që vijon.
“Një kohë të gjatë Lumi Shkumbin është në këtë gjendje i papastruar. Është përplot me gurë të mëdhenj dhe me rërë. Fatmirësisht nuk ka pasur shumë reshje të shiut, sepse do të vërshonte sërish në shtëpitë tona si një vit më parë. Duhet që të pastrohet rregullisht, sepse pak shi kur bie lumi sjellë nga pjesët më të larta gjithçka që gjen përpara, gurë, dheun që shkëputet, mbeturina të ndryshme të amvisërisë që hidhen në lum të cilët nuk hidhen në kontejner”, thotë Agroni, banorë i Tetovës. Banorët janë ankuar se autoritetet lokale duhet që të marrin masa parandaluese në kohë, sepse tashmë në muajt në vijim pritet që të rritet niveli i ujit të Lumit Shkumbin dhe rreziku për të vërshuar i njëjti është i madh.
“Tashmë kur jemi në vjeshtë rritet niveli i ujit të Lumit Shkumbin, prandaj edhe ne druajmë se nëse nuk pastrohet në kohë, atëherë mund të vërshojë në shtëpitë tona. Duhet që përfundimisht ky problem të rregullohet njëherë e mirë, sepse nuk është hera e parë që është në këtë gjendje lumi”, thotë më tej ai. Banorë të kësaj lagje thonë se lumi pastrohet pjesërisht. “Ajo pjesë e lumit është pastruar dy herë në mënyrë sipërfaqësore, por fatkeqësia qëndron aty se edhe sot e kësaj ditë vazhdohet që të hidhen mbeturina, me çka e ngushton edhe shtratin e lumit. Apelojmë te Komuna që ajo pjesë e shtratit të lumit të pastrohet në vazhdimësi dhe mundësisht ajo pjesë të futet në shtrat”, shprehen banorët. Nga Komuna e Tetovës janë arsyetuar se shtrati i Lumit Shkumbin pastrohet rregullisht, por mbeturinat përfundojnë në lum si pasojë e disa banorëve të pandërgjegjshëm. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës, kanë theksuar se kanë përgatitur një plan aksionar, i cili i është dorëzuar Qeverisë gjatë kohës së vërshimeve. “Në atë plan është dorëzuar edhe kërkesa për naftë për pastrim të Lumit Shkumbin. Ministria e Ekologjisë ka ndarë 8 tonë për pastrimin e Lumit Shkumbin, Poroj dhe në Reçicë”, thonë nga Komuna e Tetovës. Shtrati i lumit në Tetovë, vazhdon të jetë “kontejner” mbeturinash, dhe në të jo rrallë mund të shihni aparaturë kuzhine, mobile, kafshë të ngordhura dhe pemë të prera, gjë që vjen nga mungesa e kontrolleve të vazhdueshme të inspektoratit të ekologjisë. (koha.mk)