Propozimi është që të gjitha forcat politike, bashkë me komunitetin fetar të dalin të bashkuar për të kundërshtuar radikalizmat. Mos bëjnë si struci e të fusin kokën në rërë duke injoruar situatat. Mos thonë këta eksponentë të jetës publike që se dinin se ç’duhet bërë, ose të përfshihen në inatet e tyre të politikës banale, e mos ta ndërtojnë këtë front të përbashkët. Sepse nëse ka mbetur veç edhe një fije dinjiteti për të mirën e përbashkët, atëherë bashkimi nuk duhet se pse mos ndodhë për këtë fenomen. S’ka justifikim. Për askënd më
Nga Nazim RASHIDI
Emëruesi i vlerave tona të përbashkëta, mbledhia e kulturave të njëjta ose të ngjashme, që nga folklori, ushqimet, sjelljet, traditat, na bën të bashkuar dhe na identifikon si etni. Por ne po na ndodh një ndarje e madhe shoqërore e cila do thellohet edhe më shumë nëse se flasim dhe nëse nuk e adresojmë dhe kjo është raporti jonë me fenë. Nga një vrojtim jo shumë shkencor, shoqëria jonë është e ndarë në tre grupe, ata tek të cilët feja nuk ka ndonjë peshë të madhe në jetë, që nuk janë praktikues e deri dhe ateistë, fetarët tradicional, që janë praktikues të fesë por asnjëherë agresivë në besimin e tyre dhe një grup i tretë që shfaqen si fanatikë, madje dhe të dhunshëm verbal e fizik në mbrojtje të fesë. Nuk e di sa përqindje e jona bën pjesë në secilin grup, sepse nuk kam parë studime të tilla. Do të duhej të ishin bërë sa më parë studime të tilla, për të parë dinamikat e shoqërisë për këtë çështje.
Unë besoj se besimtarët e moderuar bashkë me ata tek të cilët feja s’ka ndonjë ndikim, janë shumicë e madhe, por fanatikët bëjnë më shumë “zhurmë” apo dhe akte të dhunshme dhe bien më shumë në sy.
Por pse është kjo e rëndësishme? E para fare është e thjeshtë, ne duhet ta njohim veten. Për shembull, unë e shkruaj këtë tekst bazuar me përshtypje. Por s’do duhej të ishte kështu.
E dyta dhe me e rëndësishmja është për të reaguar ndaj fenomeneve të cilat as janë tipike dhe as janë pjesë e sjelljes tonë fetare.
Por ku të reagohet? Me kë të flitet? Ndaj kujt të veprohet? Cilës shtresë të popullsisë t’ju flitet? Këto pyetje s’kanë përgjigje sepse askush s’ka dashur të merret me to.Problemet dhe fenomenet janë hedhur poshtë qilimit dhe në raste të tjera fenomenet janë përdorur nga politika për interesat e tyre. Rasti i Vjenës, ku një radikal shqiptar vret një shqiptar tjetër e ku në forcat e policisë kishte shqiptarë të tjerë që ndiqnin radikalin duhet të ngrenë alarmin. Kjo ndarje s’ka qenë asnjëherë tipike për ne.
Shqetësues është relativizimi i ngjarjes, por më shumë shqetësuese është heshtja e të gjithë atyre që nuk flasin dhe janë kundër fenomenit të radikalizmit dhe fanatizmit në rritje. Por çfarë shoqërie duam ne? Gjithmonë kam besuar se hapësira jonë e përbashkët, duhet të jetë tolerante dhe duhet t’i akomodojë të gjithë pavarësisht dallimeve që mund të kemi. Besoj dhe punoj për këtë bindje.
Por kjo hapësirë e përbashkët ndodh që dhunohet. Prandaj këtu duhet veprimi i institucioneve. Në momentin e veprimit të tillë, hymë në politikë. Por politika ka dështuar plotësisht këtu. Politika si një nga ndikuesit më të mëdhenj në shoqëri ka treguar tolerancë të pa precedentë ndaj dhunuesve të hapësirës së përbashkët. Dhe vini re, nuk them këtu që të shkelet ndonjë e drejtë, as të merren hapa drastike dënimi ose shtypjeje, (apo siç do të duan ta prezantojnë radikalët këtë qëndrim si anti-fetar, as që bëhet fjalë për këtë) por evidentim dhe edukim se në shoqëri të gjithë jemi të barabartë pavarësisht se kush beson më shumë ose më pak, ose s’beson fare në Zot.
Por jo, si përherë politika e cila ka banalizuar veten veç në interesa të pastra përfitimi, e këtë privilegj e arrin me vota, e për vota bashkohen me të gjithë. Prandaj nuk ka pasur guximin që ta kundërshtojë agresivitetin e fanatikëve. Përkundrazi ka mbyllur sytë, ka heshtur me raste eksponentët ekstremë të fanatikëve, madje i ka marrë edhe në gjirin e saj. Kështu nga një shembull se si s’duhet të jesh, ata shndërrohen në shembull sjelljeje nga e cila madje edhe përfiton. Dhe shikoni, ndodhi Vjena, një tragjedi shumë dimensionale dhe politika hesht. Në vend që ta marrë rastin e ta shfaqë si shembull që nuk duhet ndjekur. Ajo hesht. Të gjithë e dënuan dhunën, të merremi vesh, por kjo nuk mjafton nëse lejohet realtivizimi i ngjarjes. Deri sa eksponentë politik, të vegjël, të parëndësishëm, lokalë apo dhe me poste më të larta nëpër parti, lejohen të relativizojnë një akt dhune e terrori, e vazhdojnë të veprojnë politikisht dhe nuk largohen nga veprimi i tyre publik, klasa politike atëherë është pjesëmarrëse në rritjen e fanatikëve dhe si rrjedhojë e dhunës.
Mashtrim janë deklaratat e tyre se e mendojnë të mirën tonë, kur nuk japin shembull me largimin nga radhët e partive të tyre persona që relativizojnë terrorin. Kjo ka ndodhur deri më tani nga frika e humbjes së votave, ose nga frika e etiketimeve nga njëra-tjetra si anti-fetarë. Eksponentë partiak nën zë janë kundër fenomeneve radikale, por publikisht heshtin. E pafalshme! Për këtë çështje duhet një front i përbashkët. Por kush do ta drejtojë këtë front kur mosbesimi është aq i madh mes politikanëve që siç kemi parë edhe sentimentin fetar e keqpërdorën veç për të marrë vota? Këtu rol kyç duhet të ketë Bashkësia Fetare Islame, si autoriteti më i lartë fetar.
Nuk ka justifikim edhe prej tyre që rastet e rënda si ai i Vjenës mos t’i adresojnë në fjalimet e tyre. Unë besoj se e bëjnë këtë nëpër xhami dhe shumë mirë. Por nuk duhet të jetë në heshtje ky institucion, ose të flasë në rrethe të mbyllura të tyre, këtë duhet ta bëjnë duke kaluar edhe në kanalet e tjera të përhapjes së mesazheve, me fushata në media, në rrjetet sociale, në tabela, kudo. Të gjithë duhet të përkujtohen vazhdimisht për vlerat që na bashkojnë, e bartës të kësaj nisme duhet të jenë autoritetet fetare. Kemi parë disa herë, se radikalët dhe fanatikët sfidojnë edhe autoritet fetare, nuk e pranojnë tolerancën e tyre, por çështja nuk është veç tek radikalët, por tek të gjithë njerëzit. Agresiviteti i tyre nuk mund të lihet pa u përballë me argumentet e institucioneve fetare. Ajo që ndodh është se në një anë kemi dhunë verbale dhe madje edhe fizike ku ka dhe vrasje dhe në anën tjetër heshtje. Jo totale, se aktet dënohen, por një mosguxim për të kundërshtuar në mënyrë konstante dhe hapur dhunën e shfaqur. Kur institucionet fetare s’dalin në ballë, trembet dhe politika. Pastaj mbesin vetëm disa zëra civilë që kundërshtojnë situatat, por që s’merren relevantë nga radikalët e fanatikët, madje përbuzen, ofendohen dhe tentohet me dhunën verbale dhe agresivitet të heshten. Nga ana tjetër këta zëra civilë as që arrin të bëjnë presionin e duhur te institucionet fetare apo politike për veprim më direkt.
Por do ose nuk do politika, nëse kjo përçarje shoqërore thellohet ose madje kalon dhe në dhunë, ajo do përfshihet në këto situata. Prandaj bën mirë ta bëjë sa më herët kur nuk ka pasoja. Propozimi është që të gjitha forcat politike, bashkë me komunitetin fetar të dalin të bashkuar për të kundërshtuar radikalizmat. Mos bëjnë si struci e të fusin kokën në rërë duke injoruar situatat. Kjo nuk është garë fetare se cila fe është më e mira. Mjafton njerëzit të ndjejnë paqe dhe të marrin ushqimin shpirtëror aq të nevojshëm. Nuk bëhet fare fjalë për konkurrencë fesh, por edukim dhe ngritje zëri bashkërisht se dhuna në emër të fesë, cila do qoftë ajo, nuk ka vend mes nesh. Mos thonë këta eksponentë të jetës publike që se dinin se ç’duhet bërë, ose të përfshihen në inatet e tyre të politikës banale, e mos ta ndërtojnë këtë front të përbashkët. Sepse nëse ka mbetur veç edhe një fije dinjiteti për të mirën e përbashkët, atëherë bashkimi nuk duhet se pse mos ndodhë për këtë fenomen.
S’ka justifikim. Për askënd më. Patetike janë frazat se do dënohen nga historia. E vërteta është se nëse nuk veprohet tani, do hymë në faza të një ndarjeje të madhe shoqërore, sa që pasojat do jenë të paparashikuara, të cilat nuk di t’i artikuloj se cilat do jenë, por esenca e asaj që e quajmë sot shoqëri ose komb, s’do jetë ashtu siç e njohim tani. Politika pastaj ka edhe një përgjegjësi tjetër, mbajtja e kohezionit dhe ushqimit të vlerave që na mbajnë bashkë. Këtu hyn arsimi. Ç’të thuhet më shumë. Me vitë me radhë ministrat kanë qenë shqiptarë në krye të arsimit. Çfarë kanë bërë për të mësuare ngritur kurikula për tolerancën, për liritë, për demokracinë? Nëse do kishte dënim, ata do duhej të dënoheshin të parët bashkë me politikën, që nuk arritën që nxënien ta vënë në piedestal dhe lanë ndikimet e tjera të bëhen model. Tani lëkundet thelbi i asaj që na përcakton dhe duket se s’ka përgjegjësi. Por jo, s’është ashtu. Politika e ka ditur këtë dhe nuk ka vepruar.
Krejt në fund liritë e njeriut për mua janë thelbësore. Prandaj mbështes që nga ato personalet, bindjet e orientimet e ndryshme e deri tek liritë fetare të të gjithëve. Askush në shoqërinë tonë s’duhet të ketë mungesë lirie për atë që është. Për këtë as që duhet diskutuar. Por pa dhunë ndaj jo mendimtarëve. Adresimi i fenomenit ka të bëjë me dhunën dhe ekstremizmin. S’mund të ketë tolerim apo dhe heshtje kur në emër të një kauze ushtrohet dhunë apo dhe vrasje ndaj të tjerëve. Qoftë edhe në emër të Zotit. S’mund ta lejojmë këtë narracion as mes vete si shqiptarë, sepse siç pamë me rastin e Vjenës po e hanë kokën e njëri-tjetrit, por as edhe mes tjerëve. Heshtja dhe relativizimi është pjesëmarrje. Megjithatë e rëndësishme është të flasim, ta adresojmë dhe të ndihmojmë njëri tjetrin që të bëhemi më tolerantë e më të mirë, e të kuptojmë se të gjithë mund të bashkëjetojmë me bindjet që kemi në atë hapësirë të përbashkët që quhet shoqëri. S’mund të jetë fokusi tek ndasitë tona, s’ka se si të lejojmë ndarje të thella mes nesh. Nëse vepron kështu s’ka se si të quhet se bën keq. Gjykimin për veprimet tona edhe ashtu në fund e bën veç Një, ai është Zoti. Deri në atë moment, siç na mëson çdo fe,tolerantë e bëj veç mirë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)