Është një mbledhje krize ajo e programuar në qendrën stërvitore të Paris SZH. Kriza ka shpërthyer të dielën në mbrëmje kur Nejmar dhe Kavani u zunë me duar në dhomat e zhveshjes, pasi më parë i kishin vjedhur topin njëri-tjetrit në fushë, në episodet faullesh apo penalltie. Sherri mes “yjeve” është konfirmuar nga gazetat e të gjithë Evropës dhe i ka shtyrë drejtuesit e PSZH të kërkojnë një takim mes dy sulmuesve, për të gjetur një zgjedhje.
Pritet një kompromis, që për të qenë realist, mund të jetë vetëm transitor dhe i momentit, duke parë se Nejmar është zgjedhur të jetë imazhi i epokës së re të Paris SZH. Nga ana tjetër nuk janë 222 milionë euro të shpenzuara nga arabët për ta marrë nga Barcelona që mund t’i mohojnë Nejmarit statusin e liderit të projektit sepse është bërë futbollisti më i shtrenjtë i historisë. Aq më tepër nuk mund ta pengojë Kavani, që është mësuar t’i godasë vetë penalltitë dhe faullet, duke arritur kuotën e 49 golave në sezonin e kaluar, por sivjet gjërat do të jenë ndryshe. Edhe ndaj Sent Etien, Nejmar tentoi të godiste penalltinë, kur rezultati ishte 1-0, por Kavani nuk e la. E njëjta gjë ndodhi në fitoren 6-2 ndaj Tollus dhe 5-0 ndaj Seltik. Uruguaiani vuri veton ndaj numrit 10. Në këtë mënyrë, kur u dha një faull kundër Lion, Nejmar çoi mikun e tij Dani Alves ta merrte topin. Mbrojtësi kërkoi ta ekzekutonte, por sipas planit ia la goditjen Nejmar, në të vetmin rast që Kavani u kap i papërgatitur.
Në këtë mënyrë ka nisur një krizë që ishte e parashikuar, por e injoruar nga trajneri Emeri dhe drejtori sportiv Henrike, derisa nisi sherri. Sot, në stërvitjen e parë së bashku, të dy futbollistët do të takohen dhe do të shqyrtojnë alternativën e trajnerit që t’i ekzekutojnë me radhë penalltitë dhe faullet në hyrje të zonës. Mbetet për t’u parë nëse Kavani do ta pranojë diçka të tillë. Për katër vite ai ka qenë “vasal” i Ibrahimoviç. Gjithashtu, mbetet për t’u parë nëse Nejmar do të pajtohet me “gjysmat”, pasi pësoi për vite me radhë hierarkinë e Messi. E sigurt është që në ndeshjen e ardhshme të PSG kundër Montpelie, në rast penalltie apo faulli, sytë do të jenë te Kavani dhe Nejmar, për të kuptuar nëse kanë bërë paqe apo sherri vazhdon.