Në kohën kur në tregun ndërkombëtar gjendet një numër i madh i telefonave të mençur, nga kompania McAfee vjen paralajmërimi për ardhjen e një telefoni të ri që do të ketë një specifikë shumë të veçantë. Edhe pse firma të njohura ai Apple dhe Samsung kanë një numër të madh produktesh cilësore, pajisjet e tyre mund të hakohen duke rrezikuar të dhënat e përdoruesve. Por, McAfee thotë se pajisja e saj e re nuk do mund të hakohet dhe si e tillë do të ketë mjaft sukses në treg. “Hardueri është pjesë e sigurisë, ndërsa softueri është ai që çon drejt pasigurisë”, thonë në McAfee. John McAfee, krijuesi i njërit nga programet më të njohur të antivirusit, ka paralajmëruar modelin e ri të telefonit të mençur, për të cilin thotë se është e pamundur që të hakohet. Pajisja aktualisht quhet “John McAfee Privacy Phone” dhe do të kushtojë 1100 dollarë. McAfee ka bërë të ditur se versioni i parë i telefonit pritet të gjendet në treg gjatë këtij viti. “Ky është versioni i parë, i cili i jep përdoruesit kontroll mbi privatësinë dhe është shumë më i sigurt se sa Blackphone dhe pajisjet tjera, për të cilat thuhet se janë të sigurta. Versioni i dytë do të jetë i qasshëm në verën e vitit të ardhshëm dhe do të jetë i mbrojtur nga hakimi”, ka thënë John McAfee për mediat amerikane.