Një dhëndër në Arabinë Saudite ka braktisur ceremoninë e martesës së tij pasi babai i nuses ka insistuar se bija e tij do të vozisë veturë edhe pas martesës. Babai i nuses kishte kërkuar se vajza e tij duhet të marrë lejen dhe të blejë një veturë në momentin kur Arabia Saudite zyrtarisht lejon gratë të vozisin në qershorin e vitit 2018. Dhëndri dhe vjehrri i tij ishin marrë vesh që ai të paguante 10 mijë dollarë prikë dhe që nusja të vazhdonte punën edhe pas martesës, por dhëndri ishte i befasuar me kërkesat shtesë, prej të cilave u detyrua të braktis ceremoninë e martesës. Al-Marsd raporton se kërkesa e babait të nuses është bërë pak minuta para ceremonisë fetare të martesës. Dhëndri refuzoi këtë kërkesë dhe u largua nga ceremonia e martesës. Ai pastaj kërkoi nga kushërinjtë e tij që të sjellin darkën për familjen e të fejuarës, por vetë nuk mori pjesë në festë.