Urim HASIPI
Tetovë, 5 mars – Tetova me rrethinën viteve të kaluara por edhe këtë vit është përfshirë nga dukuria e vjedhjeve në objektet fetare. Në këto vjedhje nuk janë kursyer as xhamitë as kishat. Nga muftinia e Tetovës theksojnë se prona në objektet fetare është e shenjtë dhe u takon të gjithë besimtarëve dhe assesi nuk duhet të jetë cak i hajnave.
“Fatkeqësisht kemi një fenomen të tillë këtë periudhën e fundit, ku janë sulmuar disa xhami. Unë do të kisha apeluar që njerëzit që merren me këtë dukuri, të kenë kujdes dhe të heqin dorë nga kjo dukuri dhe jo vetëm në xhami por kudo tjetër. Sa i takon xhamive, xhamitë janë vende të shenjta, në xhami nuk ka pasuri që është e dikujt, është e të gjithëve dhe nuk ka pasuri e cila mund të merret për çështje personale. Xhamitë nuk janë vende kur rinë paratë, xhamitë i kanë mjetet e veta që janë në shërbim të shoqërisë dhe do të kisha apeluar edhe tek hoxhallarët por edhe tek këshillat e xhamive që të kenë më tepër kujdes”, deklaroi muftiu i Muftinisë së Tetovës Qani Nesimi.
Nga ana e Muftinisë së Tetovës apeluan që objektet fetare në përgjithësi duhet të trajtohen si objekte të shenjta. “Poashtu edhe qytetarët duhet të jenë në shërbim të institucioneve publike, siç janë xhamitë, shkollat spitalet e kështu me radhë. Poashtu apeloj që ata që ndërmarrin këtë veprim të mos e bëjnë këtë, dhe ata që kapen duke vjedhur institucionet të përkujdesen që ata të rehabilitohen dhe ti kthehen jetës normale”, thotë Nesimi. Po ashtu, ata theksojnë se pronat fetare duhet të trajtohen si të shenjta.
“Xhamitë janë shtëpi të zotit, prona e tyre është vakëf dhe ju takon të gjithë besimtarëve andaj dënojmë çdo keqpërdorim në mënyrë të veçantë vjedhjet e ndodhura brenda apo përreth objekteve fetare. Lusim organet e shtetit sidomos policia që të kenë më shumë kujdes ndaj pronës së objekteve fetare me qëllim që të mos ndodhin raste të këtilla siç kanë ndodhur në të kaluarën e afërt në Tetovë”, thonë nga Muftinia e Tetovës.
Nga Policia theksojnë se hajnat në shumë raste vjedhin mjetet që donohen nga ana e besimtarëve për nevojat e këtyre objekteve.“Në numrin më të madh të vjedhjeve në vitit e kaluar hajdutët në të shumtën e rasteve kanë vjedhur para që besimtarët vullnetarisht lënë nëpër xhami për nevojat e xhamisë apo nevojtarëve tjerë, si dhe gjësende tjera me vlerë, por për dallim nga vitet e kaluara nuk është vërejtur gjegjësisht regjistruar ndonjë vjedhje të ikonave dhe rekuizitave tjera kishtare”, njofton Marijan Josifoski zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë. Nga ana tjetër Policia e Tetovës nënvizon se janë parashtruar padi edhe nga ana e prokurorisë themelore të Tetovës.
“Nga Prokuroria Themelore e Tetovës viteve te kaluara janë parashtruar 4 padi penale për vjedhje të rëndë kundër një personi të panjohur sipas nenit 236 nga kodi penal i republikës së Maqedonisë dhe 1 padi penale për të njëjtën vepër penale kundër 3 personave. Gjithashtu deri tek prokuroria publike themelore, është parashtruar një padi penale për vjedhje në kishë kundër një personi të panjohur , sipas nenit 235 të kodit penal të Republikës së Maqedonisë”, tha Marijan Josifoski, zëdhënës i Sektorit për Punë të Brendshme i Tetovës.
Të përkujtojmë se rastet e fundit kanë ndodhur në Xhaminë e Rinisë dhe Dardanisë në Tetovës, ndërsa nuk është kursyer as Xhamia e Pashës si një nga objektet më të vizituara në këtë qytet. (koha.mk)