Urim HASIPI
Tetovë, 26 shkurt – Në rajonin më të gjerë të Tetovës, vitin e kaluar dhe në fillim të këtij viti janë regjistruar dhjetëra vjedhje brenda familjeve, si në fshatin Bogovinë, Urviç, Tudencë, ku janë vjedhur flori, para…, ndërsa kanë qenë të involvuar anëtarë të familjes apo të afërm të tyre, shkruan gazeta KOHA. Kryerësit e këtyre vjedhjeve në mënyrë të përkryer kanë vjedhur gjëra të çmuara duke mos lënë pas tyre asnjë gjurmë, ndërsa në anën tjetër – pronarët i paraqesin këto vjedhje. Policia e Tetovës një pjesë të madhe të këtyre rasteve i ka zbardhur plotësisht duke bërë fletëparaqitje adekuate. Po ashtu, nga policia theksojnë se ka vjedhje të inskenuara nga vet pronarët, prandaj edhe rikujtojnë se edhe vjedhjet e rreme paraqesin vepër penale. Derisa në vjedhjet e vërteta, policia thotë se hajnat zakonisht kanë informata paraprake se në shtëpi nuk ndodhet askush.
“Shfrytëzojnë njerëz të afërm, të cilët njohin terrenin dhe më pas kryejnë vjedhjen. Kjo e bën më të vështirë kapjen e tyre në vendngjarje. Zakonisht vjedhjet janë kryer gjatë orëve të natës kur familjarët janë në gjumë ose nuk kanë qenë në shtëpi. Këtë më së miri e shfrytëzojnë hajnat dhe shumë lehtë e kryejnë vjedhjen pa u hetuar dhe pa lënë gjurmë. Po ashtu, në fshatrat malor ku shumica e banorëve janë shpërngulur, por kanë shtëpiza të vogla banimi, atje vidhet më lehtë dhe nuk hetohen nga askush dhe policia e ka më vështirë për ti gjetur. Në ato shtëpiza vidhen sende prej metaleve të ndryshme dhe hekur, kurse pastaj shiten në treg me çmim të lartë ”, tha zëdhënësi i policisë në Tetovë, Marijan Josifovski. Në ndërkohë, Josifovski thotë se shumë individë shpeshherë dinë edhe të sajojnë vjedhjet, pasi paraprakisht i shesin telefonat dhe gjësendet e tjera për të mbuluar borxhe të caktuara, dhe më pas i denoncojnë se të njëjtat u janë vjedhur. “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë apelon, veçanërisht deri tek të rinjtë, që të mos i lënë telefonat celularë, syzet e diellit, dhe gjësendet e tjera me vlerë në tavolina të kafiterive, në diskoteta, ose në tarraca të hapura dhe të largohen për një kohë të gjatë. Për arsye se kjo është një mundësi shumë e favorshme për vjedhësit, të cilët veprojnë shpejtë, pa u vërejtur nga askush i marrin këto gjësende dhe shpejtë largohen nga vendi i ngjarjes”, deklaroi Josifovski. Atyre të cilët kanë mundësi financiare u këshillohet që të furnizohen me pajisje adekuate mbrojtëse, sidomos nëse me ditë apo me muaj të tërë nuk janë në objekte. “Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka ndërmarrë masa intensive për zbardhjen e vjedhjeve dhe apelon tek pronarët e shtëpive që në mënyrë kualitative të sigurojnë të njëjtat sidomos nëse nuk janë në shtëpi, por edhe të mos lënë në vende të ekspozuara sendet me vlerë. Sepse, hajnat në mënyrë të shkathtë shfrytëzojnë çdo rast sidomos nëse dyert nuk janë të mbyllura apo janë dyer jo kualitative për të vepruar”, deklaroi Josifovski. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë u bën me dije qytetarëve se paraqitja e rrejshme është vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg nga tre muaj deri në tre vite, por edhe thirrja e rrejshme në polici është kundërvajtje që mund të sanksionohet me gjobë prej 100 deri në 400 euro. Sipas statistikave, gjatë vitit 2016 në rajonin që e mbulon Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, gjithsej janë regjistruar 638 vjedhje të rënda dhe 324 vjedhje të tjera. (koha.mk)