Shkup, 11 prill- Një autor i panjohur gjatë festave të Pashkëve ka kryer vjedhje në hapësirat e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë në Shkup, me ç’rast janë marrë 121.000 denarë dhe 320 euro.
Siç është theksuar në buletinin policor, dje në SPB Shkup është denoncuar se në periudhën nga data 5 deri më 10 të këtij muaji në bulevardin “Koço Racin” në hapësirat e Kryqit të Kuq të RM-së autori i panjohur me përdorimin e veglës përkatëse e ka hapur dritaren dhe ka hyrë brenda, me ç’rast nga arka i ka marrë 121.000 denarë, 320 euro, një resiver dhe e ka braktisur vendin e ngjarjes. Policia është duke punuar në ndriçimin e plotë të rastit.