Delvina KËRLUKU
Profesor Vebi Bexheti u lind në fshatin Veshallë të Tetovë (më 1949), ku mbaroi 4 klasë të shkollës fillore. Tetëvjeçaren dhe gjimnazin e mbaroi në Tetovë. Studimet në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik, dega e albanologjisë. Studimet e thelluara- kandidat shkence dhe doktoratën, në Institutin e Gjuhës e letërsisë, Tiranë. Ka punuar si profesor në Gjimnazin e Gjilanit; Mësimdhënës në shkollën fillore të fshatit Veshallë; Profesor në Qendrën shkollore të tekstilit në Tetovë; Profesor në Shkollën e mesme të mjekësisë në Tetovë; Kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës; I burgosur politik, pas ngjarjeve të përgjakshme të vitit 1997; Drejtor i Qendrës kulturore në Tetovë; Ministër i Informatave në Qeverinë e Maqedonisë; Drejtor i Agjencisë për Informata në Republikën e Maqedonisë. Një ndër themeluesit dhe profesor në UT; Ndër themeluesit dhe profesor ne UEJL (ligjërues, shef katedre, dekan, anëtarë senatit, anëtar i Bordit të Universitetit); Anëtar i Bordit të Akreditimit dhe Evaluimit të Arsimit të lartë në Republikën e Maqedonisë. Veprimtaria hulumtuese shkencore: 7 libra të botuar; mbi 50 punime shkencore në fushë të letërsisë dhe politikave gjuhësore; 50 punime publicistike nga fusha të ndryshme. Pjesëmarrje në shumë simpoziume, konferenca dhe takime të ndryshme shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Të gjitha funksionet dhe aktivitetet politike i ka kryer pa u shkëputur për asnjë moment nga puna në arsim.
KOHA: Z. Bexheti, merreni me studimin e veprave letrare të shkruara dhe të atyre që për krijues kanë popullin. Na thoni ku e ndieni veten më komod?
BEXHETI: Unë me titull jam profesor letërsisë, dhe si i tillë, gjithmonë në Universitet kam ligjëruar lëndët e letërsisë shqipe, nga ajo e periudhës së Romantizmit, deri në këtë të sotmen, ndërsa në studimet më të thelluara, më tepër jam marrë me poezinë e shkruar, e në veçanti, me atë të sotmen. Për sa i përket poezisë popullore, që gjithsesi është baza e asaj të shkruarës, mund të them se kultura popullore në përgjithësi, e një populli, është një dëshmi se sa ai popull ka histori të njohur, qytetërim të lashtë dhe rrënjë të thella autoktone. Vargu popullor është arti më i bukur, përmes të cilit këndohet krenaria e një populli gjatë historisë, bashkë me përpjekjet për ta mbrojtur dinjitetin individual apo kolektiv të një kombi, apo për t’i afirmuar ato vlera, që nga koha kur ende mungonte letërsia e shkruar. Pa këtë krijim popullor, që me të drejt Kadare e konsideron autobiografi e popullit në vargje, nuk do ekzistonte as letërsia e shkruar, që shpeshherë përdoret gabimisht, si letërsi artistike, duke dashur ta dallojnë nga ajo popullore, të pavetëdijshëm se pikërisht arti popullor është ai më i vjetri, është arti i kulluar, më me vlera, më objektiv sepse krijohet në çdo kohë e në çdo vend, si nevojë e njohjes së popullit me tërë atë që kishte ndodhur, në mungesë të historisë, që shpeshherë shkruhet nga ai më i forti. Lirika popullore e të gjitha llojeve është një vlerë e posaçme për mua, ajo duhet vjelë, kultivuar e studiuar. Studimi im monografik “Nga lirika popullore e Tetovës me rrethinë”, është vetëm një dëshmi se vargu popullor është pika ime e dobët dhe se pa te as që do mundja ta njoh edhe poezinë e shkruar, për ta studiuar si duhet, madje as poetët e mëdhenj, nuk do ishin të tillë nëse do u mungonte njohja për këtë varg që mrekullon. Megjithatë, letërsia e shkruar, sidomos poezia dhe studimet për të, për mua mbeten profesioni im jetësor.
KOHA:Profesor Bexheti, dihet që bota e qytetëruar i kushton vëmendje të madhe apo vëmendje të merituar, trashëgimisë kulturore dhe artistike. Ku jemi ne shqiptarët në këtë fushë?A po bëjmë ne si individë dhe si institucione (edhe shtetërore) për ta pasqyruar në dritën e plotë këtë trashëgimi, e cila nuk është e papërfillshme?
BEXHETI:Më vjen mirë që edhe pyetja e dytë ka të bëjë me vlerat etno-kulturore dhe me këtë trashëgimi aq të pasur të kombit tonë, pa të cilat ne si komb , do ishim më të varfër dhe më të kontestuar në historinë aq të lashtë. Të gjithë ata, që për interesa të ndryshme dhe pa asnjë bazë shkencore mundohen ta kontestojnë prejardhjen e kombit tonë, para këtyre vlerave me fakte të palëkundura, ndjehen të dobët dhe as që do munden ndonjëherë t’i bindin tjerët se jemi pa rrënjë e pa histori. Ky realitet i pakontestueshëm, për ta mbijetuar ardhmërinë, duhet njohur e studiuar nga vet ne shqiptarët. Atë që dikur e bënin vetëm individë studiues e dashamirë për grumbullimin e këtyre vlerave, përjashtuar ato të shtetit shqiptar, që megjithë pengesat e natyrave të ndryshme ideologjike, me kohë i ngritën institucionet që u morën me këtë veprimtari, sot kur kemi tre universitete në gjuhën shqipe vetëm këtu në Maqedoni dhe një Institut shkencor për këtë trashëgimi, dhe shumë universitete e institute të specializuara për ruajtjen e kultivimin e këtyre vlerave në Kosovë e Shqipëri, punët kanë ndryshuar, ndërsa rezultat nuk mungojnë, edhe pse jo në nivelin e dëshiruar. Dobësitë e natyrave të ndryshme në këtë drejtim vërehen edhe sot, sidomos këtu te ne, në Maqedoni. Ministritë përgjegjëse të Maqedonisë në përkrahjen e kësaj krijimtarie për ruajtjen dhe kultivimin e këtyre vlerave, për shqiptarët ende e luajnë rolin e njerkës, edhe pse, herë-herë udhëhiqen edhe nga shqiptarë. Në këtë drejtim duhet të jemi edhe vetëkritikë për mosangazhimin sa duhet të vetë shqiptarëve, si individë dhe si kolektivitet dhe qasjes shkencore e profesionale tonën, që ende është për ta dëshiruar. Shumë festa nga trashëgimia jonë popullore, madje edhe ato më të vjetrat, siç janë: Dita e Verës, Shën Gjergji, Karnavalet etj., janë shuar, me përjashtime të vogla të shënimit të tyre në mënyrë simbolike, në disa zona, si manifestimi i karnavaleve ilire në fshatin Bozovcë dhe Dita e Luleve dhe e Shën Gjergji në Veshallë ,apo në ndonjë fshat tjetër të Malësisë së Tetovës, të Gostivarit dhe Strugës, edhe pse po zbehen dita ditës, duke mbijetuar falë angazhimit të disa individëve me dëshirën që këto vlera mos të shuhen fare. Është e kuptueshme që kurbeti, mënyra e të jetuarit në këto kushte të globalizimit, dhe mospërfillja institucionale nga shteti, janë faktor i rëndësishëm për shuarjen e këtyre manifestimeve etnokulturore dhe me peshë kombëtare, por faktori tjetër më i rrezikshëm është ai që na imponohet nga ideologji të huaja përmes disa klerikëve fetare, të cilët në emër të islamit u kanë shpallur luftë këtyre vlerave, madje duke na imponuar përshëndetje në gjuhë të huaj, e diku-diku edhe veshje, qe nuk kanë të bëjnë fare me shqiptarët dhe traditën tonë të lashtë me rrënjë që në kohën e paganizmit.
KOHA:Po metodat dhe aparatura jonë shkencore, apo ecë me kohën?
BEXHETI:Metodat e studimeve shkencore janë çelësi një punimi shkencor, por kjo nuk do të thotë se një specialist i metodologjisë së punës shkencore mund të jetë edhe shkencëtari më i mirë, nëse i mungon dija e mjaftueshme dhe përvoja hulumtuese shkencore e një fushe të caktuar. Puna e mirëfilltë shkencore gjithsesi duhet bazuar në parime teorike e metodologjike, por hulumtuesit e mirëfilltë shkencor, shpeshherë i ndërtojnë edhe metodat e tyre përmes qasjeve të reja, si kërkesë e vet hulumtimit dhe rezultateve që dalin nga ai. Edhe në këtë drejtim, te ne sikur mungojnë studimet serioze që do identifikoheshin me autorin e vet. Kjo më tepër është edhe çështje shkollash, do thoja, që mungojnë gjithashtu. Në botë janë të njohura shkollat e ndryshme për fusha të caktuara dhe qasje shkencore-hulumtuese, që dallojnë nga njëra tjetra, edhe pse objekt studimi e kanë të njëjtën lëndë hulumtimi. Në studimet tona në Maqedoni, sidomos te ne shqiptarët, sipas mendimit tim, ende nuk janë formuar këto shkolla hulumtuese, sepse vetë statusi i shqiptarëve ishte dhe për fat të keq është i padefinuar si duhet. Si mund të priten rezultate të mirëfillta shkencore nga përfaqësues të një pjese të kombit siç jemi ne, kur si popullata më e madhe, pas maqedonasve, në akte më të larta juridike,siç është Kushtetuta, Marrëveshja e Ohrit dhe ligjet për përdorimin e gjuhëve, ende nuk e kemi fituar të drejtën të quhemi shqiptarë, por njihemi vetëm si përqindje. Për sa i përket aparaturës shkencore që gjithashtu është faktori më i rëndësishëm për një punim hulumtues shkencor, do shtoja edhe atë se kohëve të fundit referencat shkencore që duhet të citohen, gjithmonë e më tepër përvetësohen dhe pa fije turpi, përmes vjedhjes, botohen si pjesë e punimit origjinal, madje kopjohen edhe punime të tëra. Keqpërdorimi i kësaj teknologjie që mundëson hulumtime të gjithanshme të shumë fushave, është një fenomen që e ngulfat shkencën dhe që prodhon pseudoshkencëtarë. Për fat të keq, dukuria e këtij lloj vjedhjeje ka marrë përmasa të mëdha edhe në mesin e studentëve të universiteteve tona. Mendoj se për këto dukuri negative që më tepër e ndihmojnë analfabetizmin se shkollimin e shkencën, fajtori duhet kërkuar në mesin tonë, te intelektualët që nuk duhet të qëndrojnë indiferent ndaj këtyre keqpërdorimeve, në emër të shkencës e dijes dhe profesorëve që ua mundësojnë nxënësve e studentëve vjedhjen e mundit të huaj.
KOHA:Në Republikën e Maqedonisë, gjuha dhe letërsia shqiptare studiohet në tri-katër katedra. Me të merret edhe një institut shkencor. Vallë, ky copëzim mos është i tepërt, kur kemi parasysh kuadrin, mjetet financiare, botimet e pakta, numrin e vogël të popullatës…?
BEXHETI:Po,është e vërtetë se në Maqedoni veprojnë tri Katedra të albanologjisë. Secila nga këto shkolla e ka historikun e vet të themelimit. Katedra e Shkupit është më e vjetra, që fillimisht punën e filloi me një numër simbolik të profesorëve, prandaj kah vitet e shtatëdhjeta aty vinin edhe profesorë nga Kosova, madje herë-herë edhe ndonjë nga Shqipëria. Meqë është pjesë e Universitetit shtetëror të Shkupit, kjo katedër,edhe pse aty studiohej gjuha dhe letërsia shqipe, për dekada të tëra nuk frymonte shqip. Në atë katedër deri vonë, madje në raste më të rralla, edhe sot e kësaj dite, gjuha shqipe përdorej vetëm si e përkthyer, punimi i diplomës shkruhej gjithashtu maqedonisht me të drejtë të përkthimit në gjuhën shqipe, për t’u mbrojtur po në maqedonisht, nëse së paku një anëtarë komisioni ishte maqedonas. Për sa i përket administratës, në atë qendër të albanologjisë nuk besoj se edhe sot mund të gjendet ndonjë shkronjë shqipe. Të gjitha këto që i them janë realitet i hidhur, si rezultat i disponimit antishqiptar të dekanëve maqedonas, pa përjashtuar edhe rektorët e UKIM-it, që këtë katedër e llogarisin si atë të greqishtes së vjetër apo të ndonjë gjuhe tjetër, që fare nuk flitet në Maqedoni. Edhe për këtë rast, një pjesë e fajit qëndron te vetë pedagogët shqiptarë, të cilët janë profesorë të mirë dhe studiues seriozë të gjuhës dhe të letërsisë shqipe, por që nuk e kanë ngritur zërin sa duhet, për ta dekontaminuar atë mjedis nga politika e egër antishqiptare, që të krijonin kushte normale për të funksionuar kjo qendër me gjithë infrastrukturën mbështetëse në interes të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Gjithsesi në kushte të këtilla, me mjete financiare buxhetore të kufizuara dhe nën kontroll të rreptë të udhëheqjes maqedonase, ku shqiptarëve posti më i lartë u jepej vetëm ai i shefit të Katedrës, nuk mund të kultivohet shkenca e mirëfilltë e albanologjisë. Pa asnjë konferencë ndërkombëtare, madje edhe mbarëkombëtare, si rezultat i të cilave do botoheshin punimet e studiuesve të ndryshëm shqiptarë e të huaj, pa asnjë ekspeditë shkencore apo vizitë institucioneve simotra dhe pa botim të ndonjë reviste shkencore që do i trajtonte çështje të fushave të ndryshme të albanologjisë, si mund të kemi rezultate shkencore? Për fat të keq, i tërë ky injorim nga pushteti, i kësaj qendre albanologjike, ka ndodhur edhe kur me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ka udhëhequr ministri shqiptar.
Katedra e albanologjisë e UT-ës, tani USHT, lindi në kushte të jashtëzakonshme, ashtu si edhe vetë Universiteti, në kohën kur mungonte çdo gjë për veprimtarinë normale të një katedre,përveç vullnetit të pedagogëve dhe dashurisë për gjuhë dhe shkollë shqipe. Meqë ky Universitet u themelua nga vet shqiptarët, udhëhiqet dhe funksionon sipas programeve të përpiluara nga këto kuadro, edhe Katedra e albanologjisë frymon lirshëm. Kjo qendër organizon aktivitete të ndryshme shkencore, siç janë: Seminari i Gjuhës e letërsisë shqipe,Konferenca e Albanologjisë, përurime librash dhe aktivitete tjera me karakter ndërkombëtar e mbarëkombëtarë, ku me punime shkencore të fushës së albanologjisë marrin pjesë shumë studiues nga vendi, Kosova , Shqipëria dhe nga jashtë. Veprimtaria botuese është gjithashtu një dëshmi se në këtë qendër lëvizin punët përpara në këtë drejtim.
Universiteti i Evropës Juglindore si projekt që erdhi nga Bashkësia ndërkombëtare e që nisi të funksionojë si nevoje e kohës, në momentin që UT-ja ende nuk ishte e legjitimuar nga pushteti, në plan të parë e kishte për qëllim kultivimin,ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, madje ky ishte edhe qëllimi i formimit të këtij Universiteti, që edhe sot qëndron në kreun e parë të vendimit për funksionimin e këtij institucioni. Me gjithë qëllimin e qartë pse duhej të hapej ky Universitet, Katedra e albanologjisë, nuk filloi me punë nga viti i parë i punës së Universitetit. Fillimisht gjuha shqipe studiohej përmes lëndës “Gjuhë shqipe me studime”, e që ishte e obligative për të gjithë studentët e Universitetit, madje edhe për grupet e mësimit në gjuhën maqedonase, ashtu siç e mësonin edhe shqiptarët gjuhën maqedonase. Që nga moment kur filloi së funksionuari Katedra e albanologjisë, kjo qendër e studimeve për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare, që sipas qëllimit të hapjes së Universitetit, duhej të ishte më e privilegjuara dhe me status special, filloi lufta kundër saj, sepse sipas analizave financiare, një grup studentesh me më pak se 20, nuk paska qëndrueshmëri financiare. Sidoqoftë, nën trysni të vazhdueshme nga organet më të larta e deri te dekanatet, mbijetuam si katedër, falë edhe rezistencës së vazhdueshme të profesoratit të Katedrës dhe përkrahjes së një numri të caktuar kuadrosh edhe në nivel Rektorati. Mbi dhjetë konferenca e simpoziume shkencore që tubuan qindra studiues nga fusha e albanologjisë, shqiptarë dhe të huaj dhe botimit të tërësishëm të punimeve shkencore të dala nga to, gjashtë ekspedita shkencore me studentë në Kalabri dhe krahina tjera të arbëreshëve të Italisë dhe aktivitete tjera përmes pjesëmarrjes së profesorëve , a nuk ishin afirmim, përveç Katedrës,edhe për Universitetin? Ky aktiviteti aq i dendur në fushën e botimeve, të tubimeve shkencore me karakter kombëtar e ndërkombëtar dhe bashkëpunimit me qendrat albanologjike, në nivel katedrash apo institutesh, të vendit, Kosovës, Shqipërisë dhe të qendrave tjera ku studiohet gjuha, letërsia dhe kultura shqiptare, siç janë: Katedra e Kozencës, Palermos, Shën Pjetërburgut, Munihut, Venedikut dhe shumë tjera që në njëfarë mënyre kemi pasur bashkëpunim, u realizuan me ndihmën e sponsorëve, me mjete të fondeve personale për veprimtari shkencore të profesorëve, me mjete të vetë studentëve dhe me ato simbolike nga fondi i Universitetit. Si “shpërblim” për gjithë këtë aktivitet hulumtues shkencor e profesional, në kohën kur ende zgjaste konkursi për vitin akademik 2013/2014, erdhi urdhri nga lartë, që të ndërpritet regjistrimi i studentëve të albanologjisë. Rihapja e konkursit, pas disa viteve, me kushtin që grupi të ketë së paku 20 studentë të albanologjisë, si duket, është vetëm një arsyetim për t’i ikur përgjegjësisë morale për veprimin tejet të dëmshëm kundër gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare, vlera këto për të cilat edhe u themelua ky Universitet. Sidoqoftë, do dëshiroja që të vazhdojnë të veprojnë tri katedrat dhe me sukses ta kryejnë misionin që kanë,meqë aty më tepër se kudo kultivohet, ruhet dhe studiohen vlerat themelore të qenies sonë. Kur i kemi parasysh qendrat maqedonase dhe financimin e tyre nga buxheti shtetëror, tri katedrat albanologjike dhe Instituti për trashëgimi kulturore, madje mund të jenë edhe pak. Mendoj se albanologjia në Maqedoni dhe studimet e të gjitha fushave të saj, do arrinin suksese më të mëdha, vetëm nëse në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë do themelohej një Qendër albanologjike, që do vepronte në bashkëpunim të ngushtë me tri katedrat dhe Institutin “Pjetër Bogdani”.
KOHA: Keni shijuar edhe “lezetin” e kolltukut ministror. Ç’është kjo magji e pushtetit, të cilën (gati) nuk e lë njeri pa e provuar po iu dha rasti?
BEXHETI:Për fat të keq, shumë njerëz politikën e kuptojnë si veprimtari ku duhet t’i realizojnë ëndrrat për jetë të bukur, përmes përfitimeve materiale dhe shumë të mirave tjera. Të merresh me politikë, mendoj se është përgjegjësi e sakrificë, e jo rehati. Kjo vlen sidomos për shqiptarët të cilët e marrin votën e popullit, në bazë të premtimeve parazgjedhore ose emërohen nga shefat e tyre partiakë dhe shikojnë vetëm për hesap të vet, pa çarë kokën për ata që i përfaqësojnë. Për politikanët e ndërgjegjshëm llogaridhënia është borxhi kryesor ndaj atyre që i kanë zgjedhur. Për fat të keq, në emër të tyre dikush e ndërton karrierën dhe ardhmërinë e lumtur me plot para. Vetëm për aventurierët politikë, për të cilët paraja është mbi të gjitha, veprimtaria politike mund të jetë e lezetshme dhe profitabile. Këtë ,,lezet” që e përmendni Ju,e kanë përjetuar shumë shqiptarë të jetës politike. I kemi të freskëta ngjarjet e përgjakshme në Parlamentin e Maqedonisë, kur nga kriminelë politikë ,nga armiq të përbetuar të gjuhës shqipe dhe shqiptarëve, u rrezikua jeta e deputetit Zijadin Sela, vetëm se me dinjitet të palëkundshëm politik e mbronte kauzën shqiptare. Një ,,lezet” të ngjashëm e përjetova edhe unë me shokët, kur nga pozicione udhëheqëse të Qeverisjes lokale, e përjetuam burgun, vetëm pse ishim këmbëngulës në mbrojtjen e Flamurit kombëtar. Unë besoj ende në njerëz të sinqertë, që politikën e kuptojmë më tepër si sakrificë se sa si kënaqësi e privilegj, besoj ende në njerëz që duke e ditur peshën dhe përgjegjësinë e politikës, nuk pranojnë t’i hyjnë kësaj rruge plot me thera. Nuk pajtohem me konstatimin se gjithsecili vrapon pas kolltukëve, madje në shumë raste, njerëzve të sinqertë as që u ofrohet nga disa liderë politikë një ofertë e tillë.
KOHA: Profesor Bexheti, ishte një kohë ku shkëmbimi i librave ishte i përhapur, sidomos për faktin që librat e mirë nuk ishte e lehtë t’i gjeje. Sot, ndodh e kundërta, kemi libra, nuk kemi lexues?
BEXHETI:Po, është e vërtetë se kohëve të fundit, madje gjatë tërë këtij fillim-shekulli lexohet shumë pak, me arsyetimin e pakuptimtë se leximin tradicional nga libri e paska zëvendësuar interneti me rrjetet e shumta sociale. Jam thellë i bindur se të gjithë ata që kanë hequr dorë nga leximi klasik, sot nuk lexojnë fare. Fatkeqësia më e madhe ka ndodhur te rinia shkollore, nga nxënësit e studentët, deri te magjistrantët e doktorantët, me përjashtime të atyre që leximin e kanë ushqim shpirtëror dhe burim kryesor për kërkime shkencore. Më kujtohet biblioteka e shkollës fillore ,,Liria” në Tetovë, që për mua ishte shkolla e leximit që nxiste dashurinë për librin. Libri që merrej nga kjo bibliotekë, nuk kthehej pa u lexuar sepse arsimtari i atëhershëm i gjuhës shqipe, zotni Salajdini, nuk e pranonte librin, nëse edhe një faqe kishte mbetur pa u lexuar. Sot, kur fondi i librave është i bollshëm, nuk lexohet, nuk ka dashuri për librin e bibliotekën, sa keq! Kjo luftë e pamëshirshme kundër librit, më e theksuar mbetet këtu, në Maqedoni, përkundër interesimit më të madh kohëve të fundit për mësim- lexim të alfabetit arab, që për disa kategori moshash, mendohet se përmes këtij alfabeti, nga i cili shqiptarët u ndan që në Kongresin e Manastirit, por edhe shumë më herët, mësimi fetar është më i vërtetë.
KOHA: Profesor, sot kemi një numër të madh të universiteteve. Si e vlerësoni këtë treg?
BEXHETI: Nuk është hendikep pse sot kemi shumë universitete ku studiohet në gjuhën shqipe, nëse të gjithë pedagogët e kryejnë punën e tyre me e nderë, mund e dije, ndërsa studentët i përkushtohen seriozisht rrugës së dijes e profesionit të tyre të ardhshëm. Nëse universitetet shtetërore nuk kanë përkrahje të mirëfilltë financiare nga shteti, ose nuk janë të barabartë për shkak gjuhës mësimore, siç është rasti me universitetet me mësim në gjuhën shqipe, nëse programet nuk janë në përputhje me kërkesat bashkëkohore dhe tregun e punës, nëse ato politizohen skajshmërisht, gjithsesi do mungojnë rezultatet. Universitetet private duhet të jenë elitare, e jo të bëjnë gara me ato shtetërore se cili do grumbullojë më tepër studentë apo të mbajnë kritere më të buta në llogari të ruajtjes së numrit të studentëve, nga të cilët edhe grumbullohem mjetet financiare.
KOHA: Edhe djali juaj, Flakroni, është përfshirë në strukturat politike. Cila është ideologjia e familjes tuaj?
BEXHETI:Është dëshira e vet Flakronit të merret me politikë. Unë fëmijëve nuk u jam përzier në përzgjedhjen e tyre se ç’karrierë duan të ndërtojnë gjatë jetës. Ndoshta edhe profesioni i tij si jurist që është dhe studimet master dhe doktoratë, për Studime evropiane, anojnë më tepër nga politika se sa nga profesioni i babait, fanatik i skajshëm për arsimin, sidoqoftë, unë i dëshiroj sukses Lonit në fushën e politikës, për mua tepër, të vështirë.
KOHA: Profesor, çfarë thotë jeta juaj pas gjithë asaj kohe me studime dhe angazhim si profesor?
BEXHETI: Të merresh me studime një pjesë të madhe të jetës, do të thotë, të vazhdosh me veprimtari hulumtuese shkencore edhe kur nuk je në marrëdhënie të rregullt pune. Tani kur jam i angazhuar vetëm për studime të doktoratës, kam më shumë kohë të vazhdoj të merrem me aktivitete shkencore, me synimin e realizimit të shumë projekteve të parapara, siç është edhe monografia për fshatin tim të lindjes, një studim mjaftë i thelluar që do të trajtojë fusha të ndryshme sociolinguistike, etnografike, etnokulturore e gjuhësore. Vetëm me aktivitete të këtilla, pas mbarimit të karrierës profesionale me punë të rregullt në Universitet, mund të kompensohet ajo zbrazëtirë që ndjehet te secili intelektual pas ndërprerjes së punës së rregullt.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.