Ankthi buron lirinë, kurse liria na shpie tej ligjeve të kauzalitetit apo vargonjve të robërisë që janë krijuar nga të tjerët. E ardhmja është diçka e paeksploruar, shumë e çmueshme dhe e shtrenjtë për gjithsecilin. Andaj nuk duhet lejuar që ajo të kolonizohet, të suspendohet e aq më pak, të blihet. Ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur – është një thënie me dimensione anarkike që nuk pajtohem fort, por megjithatë, të vjedhësh në xhep është shumë më e lehtë se të vjedhësh në zemër dhe mendje
Nga Latif MUSTAFA
Në diskursin e përditshëm shpesh hasim një frazë interesante: “vjedhësit e ardhmërisë”. Kjo frazë zakonisht i dedikohet shtresës politike e cila, në një mënyrë apo tjetër, konsiderohet fajtore për prapambetjen, korrupsionin dhe migrimin masiv të popullatës së re. Vjedhësit e ardhmërisë, të shprehur në një gjuhë simbolike, janë edhe vitet e vështira, rinia e kaluar në punë të rënda dhe jo adekuate, sakrifica dhe heroizmi i më të vjetrit të familjes për progresin dhe ardhmërinë e anëtarëve të tjerë në familje. Zakonisht, përpos babait, ndodh shpesh që ajo të jetë një nënë, grua e ve, vëlla i madh, dajë apo ndonjë anëtarë tjetër i familjes. Në fakt, pas gjithë kësaj, në prapaskenë ndodhet një sistem politik, një situatë e rëndë socio-ekonomike, një fatalitet historik që krijon dhe përshfaq në hapësirë vjedhësit e ardhmërive.
Përtej një shtjellimi ekzistencial, ngrihet pikëpyetja nëse ekzistojnë në të vërtetë vjedhësit e ardhmërive, apo thjesht, ata janë piketime nga individët pa subjekt, të cilët i nënshtrohen fatalitetit dhe apatisë dhe nuk arrijnë të imagjinojnë përtej të nesërmes, apo ka edhe të tillë që ndihmojnë apatinë dhe letargjinë shoqërore duke e bërë atë të nënshtrueshme edhe ndaj rrjedhave dhe trendeve më idiote dhe entropike, gjithsesi. Vjedhës i ardhmërisë është personi i cili është këmbëngulës, gllabërues dhe të penetron në ëndrrat dhe imagjinatën tënde dhe duke supsenduar çdo imazh, ankth dhe tendencë për t’i thurur lavde lirisë dhe ç’mendurisë. Vjedhësit e ardhmërisë janë narkodilerët që injektojnë opiumin në damarët e të rinjve të vrullshëm dhe plot shpresë. Vjedhës i ardhmërisë mund të jetë edhe prindi kur i thotë fëmijës së vet, “shuj se s’din ti”, apo mësuesi neglizhent dhe qortues në shkollë. Vjedhës i ardhmërisë është edhe dashuria, e cila e prangos njeriun në ëndrrat e tjetrit, e që ky i fundit mund të ketë një botë më të vogël se ai që e dashuron. Vjedhës të ardhmërisë janë edhe politikanët, të cilët, me premtimet e përsëritura e që tingëllojnë si të vërteta, gjakojnë në damarët e tu shpresën e rrejshme për ditë më të mira.
Unë besoj se individi është përgjegjës për veprimet e veta. Ai është produkt i vendimeve të veta. Njeriu është rezultat i vetes së vet. Por nuk mund të mohojmë faktin se ne jemi edhe qenie politike, dhe ideja e vetes sonë shpesh ngatërrohet me kërkimin e tjetrit brenda vetes, një vete më të mirë se ky që jemi. Duke kërkuar një vete tjetër, ne përshtatemi dhe akomodohemi brenda këpucëve të tjetrit, me ç’rast, të ndikuar nga diktatura dhe dimensioni shtypës i imazheve të paqena të lumturisë, ne biem në grackën e tëhuajzimit, dyshimit dhe dëshpërimit. Jeta të duket si një bjerrje e qenies dhe gjersa jeton ti vdes në agoninë e këtij kërkimi të pafund. Skema konceptuale për të ardhmen, thjesht, zhduket para syve të tu, dhe në vend të saj, ardhmëria zëvendësohet me të nesërmen.
E nesërmja nuk është e ardhme. E nesërmja është prolongimi i të sotshmes. E nesërmja është përsëritja e sotit. Njeriu në vend që të imagjinojë të ardhmen, futet në labirintin ciklik të përsëritjes të së sotshmes. “Mezi kaloi kjo ditë, – thotë ai me vete. Shyqyr që erdhi mbrëmja. Shyqyr që ekziston gjumi dhe na shpërqendron, na shkëput deri në përjetimin e ankthit të së nesërmes”. Për individin, e ardhmja e tillë zëvendësohet me të nesërmen e thjeshtë, e cila s’është gjë tjetër, veçse shtyrje e të sotmes, përsëritje dhe rreth vicioz brenda të cilit vërtitet qenia. I mbyllur dhe i ngujuar. Ky është individi i cili ka hequr dorë nga gjithçka dhe e ardhmja është thjeshtë një përsëritje e pafund e mizërisë të së sotshmes. Një ditë e njëjtë, në stinë të ndryshme. Asgjë më tepër. Vetëkolonizim me vetëdëshirë.
Ndrydhësit e imagjinatës dhe stimuluesit e vetëprangosjes janë edhe ngjarjet – le ti quajmë – familjare, kompanitë e mëdha dhe manipulimi i madh mediatik që bëhet përmes platformave argëtuese mediatike dhe rrjeteve sociale. Njeriu prangoset në idenë e lëvizjes trajektorale të Iphone 10, 11, 12, 13, 14… dhe kështu kjo do vazhdojë në pafundësi. Dije të përgjithshme shoqërore dhe politike do jenë anëtarësimi në BE, ndërsa ideja perpetuale se sot, ose nesër, do jemi pjesë e BE-së e shtyn ëndrrën e të qenit i prangosur në të nesërmen pa qenë i aftë për të menduar për një të ardhme që tashmë është krejtësisht e paeksploruar dhe i takon domenit jashtë zinxhirit të kauzalitetit, duke qenë e shkëputur nga çdo realitet. Nga ana tjetër, në vend që ne të bëjmë anti-heroin, ngopemi e përjetojmë ekzaltime kur shohim seriale se si një grup të rinjsh revolucionarë bëjnë planin ta vjedhin bankën kombëtare të Spanjës. Madje jo vetëm në “La casa de papel”, por në shumë filma dhe seriale, ne kënaqemi në zonën tonë të rehatisë, ngaqë ndryshimet dhe “revolucionet” i bënë dikush tjetër në rrjetet sociale, në platforma mediatike të cilat shkërmoqin çdo qelizë tonë për projeksione afatgjata, duke e prolonguar të nesërmen në formën e një stadi konstant dhe të pandryshueshëm. Thjesht, i nënshtrohemi këtij kolonizimi. E ardhmja, si imagjinatë dhe koncept lëngon e varur dhe e prangosur në të nesërmen e prolonguar.
Vjedhësit e të ardhmes ekzistojnë gjersa njeriu nuk ka një ëndërr të veten. Kur ai ka një ëndërr, e ka të vështirë të bëhet pjesë e ëndrrës së dikujt tjetër. Ne lëvizim mbrapa në ardhmëri me fytyrë të kthyer nga historia. Ardhmëria është krejtësisht e panjohur. Shpesh thuhet se ne lëvizim përpara drejt ardhmërisë. Në fakt, ecim mbrapa. Atë nuk e shohim, nuk e dimë, por mund ta imagjinojmë. Pika më e largët e ardhmërisë është hiçi, gjendja e mosekzistencës sonë. Nga ajo pikë, ne mund të shohim një botë pa ne, një botë ku ne nuk jemi. Atëherë mund të kuptimësohet gjithçka për ne. Kur e shijojmë një botë pa qenien tonë dhe në të njëjtën kohë gjersa e ndjejmë se ekzistojmë shtrojmë para vetes planet dhe mundësitë e shumta të ardhmërisë. Nga kjo pikë, pikë e hiçit, mund ta kuptojmë se ardhmëria nuk është një drejtëz e vetme, e cila shpie drejt fundit. Por në universin tonë ekzistojnë miliona drejtëza dhe secila është ardhmëri më vete. Po ashtu, shohim edhe gërshetime të këtyre drejtëzave lineare dhe gjersa ato nisen prej nesh dhe përfundojnë diku në pafundësi, ankthi dhe pasiguria jonë sa vijnë e bëhen më prezente. Ankthi buron lirinë, kurse liria na shpie tej ligjeve të kauzalitetit apo vargonjve të robërisë që janë krijuar nga të tjerët. E ardhmja është diçka e paeksploruar, shumë e çmueshme dhe e shtrenjtë për gjithsecilin. Andaj nuk duhet lejuar që ajo të kolonizohet, të suspendohet e aq më pak, të blihet. Ne nuk jemi të varfër, por jemi të vjedhur – është një thënie me dimensione anarkike që nuk pajtohem fort, por megjithatë, të vjedhësh në xhep është shumë më e lehtë se të vjedhësh në zemër dhe mendje.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)