Shkup, 27 maj – Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov nesër dhe pasnesër do të qëndrojë për vizitë pune në Bruksel.
Siç kumtoi MPJ, në kuadër të vizitës, Dimitrov nesër do të marrë pjesë në drekë pune me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, organizuar në kuadër të presidencës bullgare me Këshillin e BE-së, presidencës së ardhshme austriake dhe në vigjilje të Këshillit për punë të jashtme të BE-së. Diskutimet do të përqendrohen në proceset eurointegruese të Republikës së Maqedonisë, implementimin e agjendës reformuese të Qeverisë si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore.
Ministri Dimitrov më 29 maj do të ketë fjalim në tink-tenk Qendrën Evropiane për Politika (QEP) në temë: “The Macedonian name dispute: a test for EU enlargement to the Balkans”.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri Nikolla Dimitrov do të realizojë takime me përfaqësues të institucioneve të BE-së dhe disa ministra të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së.
Pas takimit të fundit për emrin në Nju-Jork me shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, ndërmjetësuesi Methju Nimic tha se bisedimet do të vazhdojnë në Bruksel. Nga MPJ për momentin nuk kumtojnë se a do të ketë takim në Bruksel ndërmjet Dimitrov dhe Koxias.