Përveç njoftimit nga zyra e shtypit të ministrisë se “ministrja ishte edhe në objektin e paraparë për teatër dhe bibliotekë që në këtë periudhë intenzivisht ndërtohet, sepse këtë vit janë ndarë 220 milionë denarë” nuk u deklarua asnjë afat i ri për përfundimin e punimeve, ndërtimi i të cilit po zgjat me vite
Evis HALILI
Shkup, 13 maj – Godina ku prej 12 vjetësh punohet për t’u ndërtuar Teatri dhe Biblioteka e qytetit, ishte një prej institucioneve që u vizituan nga ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska, si pjesë e takimeve me përfaqësues të institucioneve të kulturës në Qendrën “Iljo Anteski-Smok”. Përveç njoftimit nga zyra e shtypit të ministrisë se “ministrja ishte edhe në objektin e paraparë për teatër dhe bibliotekë që në këtë periudhë intenzivisht ndërtohet, sepse këtë vit janë ndarë 220 milionë denarë”, nuk u deklarua asnjë afat i ri për përfundimin e punimeve, ndërtimi i të cilit po zgjat me vite. Kostadinovska-Stojçevska është ministrja e gjashtë që i pasohet projekti kapital, i inauguruar nga Elizabeta Kançevska Milevska, e që nuk arriti të përfundonte nga asnjë prej ministrave që drejtuan këtë institucion, Robert Allagjozovskit, Asaf Ademit, Hysni Ismaili e Irena Stefovska. “Besojmë se së bashku me institucionet e tjera, pjesa e fazës për këtë vit dhe më gjerë do të realizohet, ndërsa qëllimi ynë është ta përfundojmë këtë objekt të mrekullueshëm sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh ish ministrja Stefovska një vit më parë.
Në buxhetin e vitit të kaluar Ministrisë së Kulturës akordoi një fond prej 89 milionë denarë, prej të cilave vetëm 69 mijë u shpenzuan, për shkak të fillimit me shumë vonesë të fazës së dytë të projektit. Fazat e ndërtimit të projektit po i kushtojnë vite të gjata pritje publikut, kushte të vështira pune aktorëve dhe gjendje skandaloze fondit të librave, ndërsa buxhetit të shtetit deri në 40 milionë euro. Afati më i fundit kur mund të përfundojë kompleksi mund të jetë viti 2025, të paktën sipas dinamikës së parashikuar të pagesës së fondeve nga Ministria e Kulturës.
Në njoftimin e zyrës së shtypit të Ministrisë së Kulturës për vizitën në Qendrën e Kulturës në Tetovë dhe takimin me drejtorin Arlind Huseini thuhet se përmes projekteve për rindërtimin e Qendrës së kulturës ku gjenden edhe teatri dhe biblioteka do të përmirësohen kushtet e funksionimit të këtij institucioni kombëtar. “Kostadinovska-Stojçevska ishte e informuar për gjendjen e objektit që është ndërtuar në vitin 1973, me problemet që ballafaqohen gjatë punës, si dhe për përmbajtjet kulturore që do të realizohen në periudhën në vazhdim. Në Qendrën Kulturore të Tetovës, përmes Programit Vjetor të Ministrisë së Kulturës, janë miratuar projekte nga të gjithë veprimtaritë, ndër të cilat janë edhe nga një shfaqje në gjuhën maqedonase dhe shqipe, ekspozita grupore dhe individuale, ndërsa do të realizohet edhe kolonia grafike Ndërkombëtare Tetovë. Janë ndarë mjetet për Mbrëmjen e xhezit amerikan, si dhe për koncertet vjetore nga fusha e veprimtarisë folklorike”, thuhet në njoftim. (koha.mk)