Shtrëngimi i duarve dhe përqafimet mes tyre ishte një klithmë politike e Ramës për ndërkombëtarët e mashtruar në mënyrë serike, një formë “SOS”-i për ta shpëtuar viktimën-liderin “of shore kompanisë- Rilindja” nga kthetrat e opozitës
Nga Shaqir ISLAMI
Një thënie angleze thotë: Po i humbe paratë. Nuk ke humbur gjë! Po e humbe shëndetin, ke humbur diçka! Por, nëse e ke humbur fytyrën; ta dish se, ke humbur çdo gjë!. Rama, më në fund përballet me problemin e fytyrës së vet. Ai në Shqipëri ka çdo gjë, vetëm fytyrën s’e ka. Nuk ka më argument politik. Dhe vet bindet dita-ditës, se i ka ardhur koha që ta shkruaj “atë letrën për trashëgimtarin e vet”, sipas asaj anekdote të famshme politike.
Ramës i doli boja mavi. Ai është gjithë e më i izoluar në arenën politike ndërkombëtare. Politikisht është i vetmuar. Nga ai ik çdokush, ose i bën bisht. Nuk e fton kush dhe nuk i vjen askush!
Prandaj, i duhej një mysafir si Zaev. Kjo vizitë e stisur me hile, i shërbeu vetëm për t’i dhënë një infuzion moral dhe për t’ia mavijosur fytyrën e nxirë të mikpritësit në Tiranë. Ky mysafirllëk i shkurtër, Ramës i shërbeu vetëm për galvanizim të energjisë pozitive politike dhe të namit të yllit politik Zaev; për të cilin, ndryshe nga Rama, të gjitha dyert e zyrave politike të BE’së dhe më gjerë janë të hapura krah-më-krah. Kjo teknikë përdoret në marketing, silleni në mendje se si blihet reputacioni i sportistëve, aktorëve, këngëtarëve, manekineve të bukura … duke u fotografuar me produkte të ndryshme të prodhimit në masë. Kështu e përdori Rama mysafirin. Por, është e kotë, sepse vet produkti është i prishur; mbase i ka skaduar afati. Dikush lozi keq me Zaevin! Vizita ishte e keq-porositur, keq- këshilluar dhe e keq- informuar. Kushdo qoftë, e këshilloi keq; me qëllim ose pa qëllim! Nuk shkohet mysafir, as te komshiu, kur atje kallet shtëpia nga grindjet dhe telashet!
Shtrëngimi i duarve dhe përqafimet mes tyre ishte një klithmë politike e Ramës për ndërkombëtarët e mashtruar në mënyrë serike, një formë “SOS”-i për ta shpëtuar viktimën-liderin “of shore kompanisë- Rilindja” nga kthetrat e opozitës. Me këtë rol erdhi dhe akoma mbahet në pushtet! Në fakt, është krejt e kundërta. Shqipëria është viktima e “Of-shore kompanisë politike- Rilindja” e themeluar me shumë gjasa nga ndonjë qendër politike të huaj. Vetëm nëse analizohet objektivisht sjellja dhe komunikimi politik i Ramës, duket ashiqare se kush është dhunuesi e kush viktima.
Funksioni i vizitës së porositur të Zaevit ishte fotografimi me shtrëngim duarsh të homologëve përpara kamerave dhe deklarata e shëmtuar se: “edhe Zaev paskësh qenë opozitë e ashpër në Maqedoni, por … ai nuk e paskësh penguar anëtarësimin e shtetit të vet në BE”. Kjo deklaratë e porositur, nuk i bëri nder yllit të politikës së Ballkanit Perëndimorë. Nuk ishte koha as për vizitë, as për deklarata të këtilla, baksuze. Kjo deklaratë e dhjeu vizitën e porositur. Prandaj, vizita e Zaevit në Tiranë ishte një gaf i politikës së fqinjësisë së mirë dhe asaj ndërkombëtare.
Këta të dy nuk kanë asgjë të përbashkët. As nga respektimi i kushtetutës, as nga komunikimi, as nga sjellja, as nga koncepti politik dhe as nga mënyra e qeverisjes. Dallohen si nata me ditën. Rama është binjak me ikanakun Gruevski. Në çdo aspekt që i përmenda më lart. Ndërsa Basha i ngjason Zaevit, në të gjitha aspektet e lartpërmendura. Vizita e Zaevit ishte një mashtrim dhe hileja e radhës, e ‘Rilindjes’ tash më të abortuar në Shqipëri.
Ndonëse lideri i “Of shore kompanisë – Rilindja”, akoma vazhdon të ironizojë, të tallë, të përbuzë, të nënçmojë, të degradojë, dhe të dhunojë psikikisht çdo qytetarë të pabindur, duke e polarizuar shoqërinë shqiptare në skajshmëri; por, shihet haptazi se është në siklet, … nga sjellja, komunikimi, vendosmëria dhe veprimi politik i opozitës. Mysafiri shkoi, por Pranvera erdhi… dhe njihet si stinë më e përshtatur për protesta. (koha.mk)