Vizer transportuesi kryesor, Stambolli destinacioni kryesor

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 18 nëntor-  Stambolli ka qenë destinacioni kryesor i udhëtarëve që kanë fluturuar nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit në nëntë muajt e parë të këtij viti, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, qytetarët e Maqedonisë më së shumti preferojnë të udhëtojnë me kompanitë që ofrojnë çmime të lira që tregon edhe pjesëmarrja me më shumë se 70 për qind e Viz Er, Pegasus dhe Germania Flug në totalin e të gjithë avio-kompanive që ofrojnë udhëtime në Maqedoni. Njëherazi kompania që ofron fluturime të lira në tërë Evropën, Viz Er, ka transportuar gati gjysmën e udhëtarëve në periudhën janar-shtator të vitit 2017.

Nga ana tjetër, me vendosjen e katër linjave nga aeroporti i Shkupit dhe linjave sezonale nga Ohri në gjysmën e dytë të këtij viti, është rritur dukshëm numri i udhëtarëve. Sipas të dhënave zyrtare të kompanisë TAV, që menaxhon Aeroportet në Shkup “Aleksandri i Madh” dhe “Shën Apostulli dhe Pavli” në Ohër,  afër 1.6 milionë udhëtarë kanë udhëtuar përmes aeroporteve të Maqedonisë, ose më saktësisht kanë udhëtuar 1.546.193 pasagjerë në nëntë muajt e parë të këtij vit. Kjo paraqet një rritje prej 12 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nëse flasim për fluturimet e avionëve, nga të dyja aeroportet janë realizuar 13.752 fluturime që paraqet një rritje prej 6 për qind në nivel vjetor.

Ekspertët thonë se përkundër krizës ekonomike që ka kapluar të gjithë shtetet e rajonit, megjithatë të dhënat tregojnë se shumica e aeroporteve në Ballkan shënojnë rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve si rrjedhojë e zgjerimit të destinacioneve të reja, hyrjes së më shumë avio-kompanive të reja dhe ofertave atraktive për fluturime. Vlerësohet se liberalizimi i vizave për shumicën e shteteve të rajonit, rritja e madhe e mërgimit nga vendet e Ballkanit në shtetet perëndimore, ardhja e kompanive që ofrojnë çmime prej 50 deri 100 euro për vajtje –ardhje, por edhe ardhja e madhe e turistëve të huaj, që përfshijnë vizitat e disa shteteve të rajonit ka rritur dukshëm në vitet e fundit numrin e udhëtarëve në të gjitha aeroportet në rajon.

“Në nëntë muajt e parë të këtij viti, destinacioni më frekuentues nga Aeroporti i Shkupit ka qenë Stambolli me 12.4 për qind, Cyrihu me 8.7 për qind, Vjena me 6.8 për qind, Bazeli me 5.1 për qind, Malme me 4.6 për qind dhe Londra me 3.9 për qind“, tregojnë statistikat e TAV për transportin e udhëtarëve në nëntë muajt e parë të vitit 2017.

Lidhur me pjesëmarrjen e avio-kompanive në transportin e udhëtarëve, Viz Er, ka transportuar më shumë se gjysmën e udhëtarëve, ose 57.5 për qind në totalin e udhëtimeve, pasojnë Turkish Airlines me 8,5 për qind , Austrian Airlines me 6,8 për qind , Germania Flug me 5,1 për qind dhe  Pegasus Airlines me 4,5 për qind.

Vlen të theksohet se Aeroporti i Shkupit, sivjet si muaj më të frekuentuar nga udhëtarët e kishte gushtin. Në këtë muaj, aeroporti kryesor në Maqedoni, ka ofruar shërbimet e tij për 216.409 udhëtarë që paraqet një rritje prej 23,7 për qind në trafikun ajror dhe rritje prej 22.4 për qind në numrin e fluturimeve, duke arritur shifra rekordi të trafikut që është ndihmuar edhe nga ngjarja e madhe sportive, mbajtja e Super-kupës së UEFA -së ndërmjet Real Madridit dhe Mançester Junajtedit në arenën sportive “Filipi i Dytë”, që e vizituan tifozë të shumtë nga Spanja, Anglia si dhe nga shtetet e tjera. Dita e shtatë gushtit apo e hëna, ishte dita më frekuentuese në Aeroportin e Shkupit në nëntë muajt e parë të këtij viti, me ç’rast janë transportuar 8.283 udhëtarë me 98 fluturime. Sivjet janë vendosur edhe pesë linja të reja ajrore nga Shkupi. Në prill filloi të linja e re deri në Budapest, ndërsa gjatë muajit korrik u vendosën edhe linjat për në Romë, Maltë, Vaksjo dhe Doha. Në Aeroportin e Ohrit, si destinacion i ri u vendos aeroporti Katovice, me çka edhe u hap rruga për ardhjen më të madhe në Maqedoni edhe të turistëve polak. (koha.mk)