Shkup, 13 dhjetor – Rrallë se mund të gjendet shtet tjetër me rend demokratik, ku brenda të njëjtës lagje për fëmijët e një etniteti të caktuar të mos sigurohet shkollë, kurse shkollat ekzistuese të mbahen të mbyllura me dry, pasi mungojnë nxënës të etnitetit tjetër, shkruan gazeta KOHA. Në Maqedoni rastet e këtilla nuk mungojnë, madje i gjen edhe në kryeqytet. Kështu në lagjen Vizbeg të Shkupit, rreth 600 nxënës të moshës shkollore nga Komuna e Butelit, udhëtojnë çdo ditë në shkollat e komunave tjera, kryesisht Shutkës, Çairit dhe Qendrës, ndërsa objekti i ish-shkollës periferike “Kirili dhe Metodi” në lagjen Vizbeg prej rreth 15 viteve qëndron e mbyllur me çelës. Autoritete lokale thonë se shkolla në fjalë është mbyllur me vendim të shkollës qendrore në Çuçer Sandevë për mungesë të nxënësve. Deri në vitin shkollor 2000/2001 në shkollën periferike të Vizbegut mësohej vetëm në gjuhën maqedonase dhe meqë numri i nxënësve që mësonin në këtë gjuhë ishte pakësuar jashtëzakonisht shumë, pra kishin mbetur jo me tepër se 15 nxënës ishte sjellë edhe vendimi për mbylljen e saj. “Ka pasur disa iniciativa për transformimin e asaj shkolle, nga me mësim në gjuhën maqedonase në gjuhën shqipe, mirëpo pa sukses”, tregon për gazetën KOHA, Mitat Ajrullai, prind i dy fëmijëve, të cilët mësojnë në Shkollën Fillore “26 Korriku” në Komunën e Shutkës. Arsyet që objekti i asaj shkolle nuk ka mundur të vihet asnjëherë në shfrytëzim të nxënësve shqiptarë, nuk janë të qarta krejtësisht. Sipas Ajrullait, pak ka ndikuar mos organizmi i shqiptarëve dhe pak mos kujdesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). “Kur para pesë viteve u drejtuam për këtë punë, zyrtarisht në Ministri na rekomanduan të shkojmë te pushteti lokal, te Komuna, pasi arsimi fillor është i decentralizuara. Mirëpo, kur u drejtuam atje, na thanë se me objekteve shkollore drejton ministria dhe pavarësisht decentralizmit, asgjë nuk mund të veprohet pa pëlqimin e MASH-it”, sqaron ai, ndërsa një pjesë të mirë të fajit ia faturon edhe neglizhencës së shqiptarëve. Plus që për çështjen e kësaj shkolle, kompetencat e pushtetit lokal janë pak sa të ngatërruara. Pjesa dërmuese e nxënësve të Vizbegut i takojnë lagjes e cila i takon Komunës së Butelit, kurse objekti i ish-shkollës “Kirili dhe Metdodi” gjendet në pjesën e lagjes së Komunës së Çuçer Sandevë. Është edhe një pjesë tjetër e lagjes Vizbeg që i takon Komunës së Shutkës. Kështu, duke qenë një lagje e ndarë mes tre komunave, Vizbegu jo që ka mbetur sot e kësaj dite pa një shkollë funksionale, por ka ngatërruar sa herë iniciativat për transformimin e ish-shkollës me lloj-lloj arsyetimesh që sorrollatnin prindërit nga njëra komunë te tjetra. Se cila komunë realisht kishte tagrin të menaxhojë kërkesën e prindërve për hapjen e paraleleve shqipe në shkollën ku paraprakisht janë mbyllur paralelet maqedonase, kjo zyrtarisht nuk u mësua as sot e kësaj dite. MASH, si zakonisht, kur është pa zgjidhje për një problem të caktuar arsimor ka alibinë e decentralizmit, kurse tre komunat, në rastin konkret të lagjes Vizbeg, hedhin fajin te njëra tjetra. Kjo kuptohet pasi u mungon vullneti për t’i dalë përballë nevojës së fëmijëve shqiptarë për shkollim në gjuhën e tyre. Inspektorët e arsimi, si çdo herë kur ka mosrespektim të ligjeve në dëm të nxënësve shqiptarë, nuk duken askund.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.