Zejnulla VESELI
Shkup, 12 shkurt – Ekziston një zonë industriale, pa infrastrukturë rrugore, pa rrjetë ujësjellësi, kanalizimi dhe rrjet të mirëfilltë të energjisë elektrike, ku mbi 200 firma private ushtrojnë veprimtari afariste të cilët brenda vitit realizojnë qarkullim vjetor mbi 600 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.
Bëhet fjalë për zonën industriale “Vizbeg” (nga udhëkryqi që lidh bulevardin “Sllovenia” me aksin rrugor Shkup- Bllacë e deri para hyrjes së qarkores që të çon drejt vendkalimit kufitar me Kosovën), e cila plotë 12 vite vazhdon të përballet me problemet elementare infrastrukturore që janë të nevojshme për një zonë që të mund firmat ku kanë 3000 të punësuar, të kenë kushte më të mira për zhvillimin e kësaj zone. Që nga formimi i kësaj zone në vitin 2006 e deri më sot biznesmenët e zonës industriale në Vizbeg për disa herë vite me radhë kanë kërkuar nga Qeveria e mëparshme dhe organet kompetente t’ju mundësojnë kushte më të mira për punë. Por fatkeqësisht edhe sot e kësaj ditë një gjë e këtillë nuk ka ndodhur.
Pronarët e mbi 200 firmave në këtë zonë ankohen se si Qeveritë e mëparshme por edhe qeveria aktuale nuk po ndërmerr asgjë konkrete sa i përket realizimit të projekteve infrastrukturë brenda zonës dhe se bizneset private edhe përkundër pozitës së mirë që ka kjo zonë për zhvillim ekonomik, punojmë me kushte katastrofale, për shkak të mungesës së infrastrukturës brenda zonës, gjë që vështirëson aktivitete punuese të kompanive.
“Zona e Vizbegit është ndërtuar me vetë financimin e firmave të cilat tani e 12 vite e ushtrojnë veprimtarin afariste në kushte katastrofale. Si mbushës të arkës shtetërore me qarkullim vjetor prej mbi 600 milion euro, kemi kërkuar nga shteti mbështetje financiare që firmat të mos funksionojnë me gropa septike dhe ujë nga puset private ”, thotë për KOHA, Nexhat Shaini, kryetar i lidhjes së biznesmenëve të Zonës Industriale Vizbeg. Ai shprehet i zhgënjyer nga Qeveria aktuale sepse në takimin e fundit realizuar midis biznesmenë të zonës dhe kryeministrit Zoran Zaeve dhe zëvendës kryeministrit për Çështje ekonomike, Koço Angjushev, u pranuan disa nga kërkesat e afaristëve në këtë zonë, duke premtuar atyre se nga janari i këtij viti do të fillohet me realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me ndërtimin e infrastrukturës brenda zonës, dhe se do të sillen ndryshimet e planit të detajuar urbanistik që do të mundësonte zhvillimin e kësaj Zone Industriale.
“Tani jemi në shkurt dhe askush nga kabineti i Qeverisë të cilët 2 muaj më parë na premtuan se do ta vizitojnë zonën dhe që nga muaji janar do të fillohet me realizimin e projekteve infrastrukturore. Mirëpo si duket edhe ky ishte vetëm një premtim bosh siç bënin edhe qeveritë e mëparshme. Më e keqja e gjithë kësaj është se nga formimi i zonës në vitin 2006 Ministria e Ekonomisë udhëhiqet nga shqiptarët ndërsa të njëjtit nuk kanë bërë as lëvizjen më të vogël, si partnerë të koalicionit qeveritar të mbështesin bizneset private dhe zonën ta shndërrojnë në zonë ekonomike si dhe zonat tjera që vite me radhë nuk u mungojnë ndihmat e shtetit”, shton Shahini.
Nga komuna e Butelit, e cila po punon ne miratimin e planit urbanistike të detajuar si kusht i parë që të fillohet me realizmin e projekteve infrastrukturore në zonë e Vizbegut informuan se punohet në miratimin e planit urbanistik dhe se shumë shpejti do të miratohet nga këshilli komunal i Butelit. (koha.mk)